Numri i shtetasve amerikanë të vrarë gjatë konfliktit Izrael-Hamas është rritur në të paktën 22, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit më 11 tetor.
Një ditë më herët, autoritetet amerikane kishin njoftuar se 14 amerikanë ishin vrarë në Izrael.
Po ashtu, shtetas amerikanë ka në mesin e afër 150 pengjeve të marra nga militantët e Hamasit, gjatë sulmit të tyre të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor. Kështu ka konfirmuar të martën presidenti amerikan, Joe Biden.
Deri më tani, dhuna ka lënë të vrarë të paktën 2.200 persona në të dyja anët.
Your browser doesn’t support HTML5
Sulmi i militantëve palestinezë të Hamasit ka ngritur pyetje për ndikimin e mundshëm të Iranit në këtë sulm, shtet që është sponsori kryesor të Hamasit. Sipas inteligjencës amerikane, zyrtarët e lartë të Qeverisë iraniane ishin zënë në befasi nga sulmi i nisur nga Hamasi, ka thënë një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dënuar ashpër sulmin e Hamasit dhe ka shtuar se SHBA-ja është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e nevojshme Izraelit.
Më 7 tetor, grupi militant Hamas nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit në vite, duke e sulmuar nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra dhe po vazhdon që ta bombardojë Gazën, territor ku jetojnë rreth 2 milionë banorë.
Izraeli në fillim të javës tha se ka “rrethuar plotësisht Gazën”, që nënkupton se nuk do të lejojë në këtë territor të shkojnë furnizime të ushqimit e karburanteve.