Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy e ka vizatuar të hënën në burg gazetarin e të përditshmes amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.
Kjo është vizita e tillë e tretë që realizohet, prej burgosjes së gazetarit në mars, nën akuzat për spiunim, të cilat ai i hedh poshtë.
“Ambasadorja Tracy ka thënë se Evan vazhdon të gëzojë shëndet të mirë dhe është i fortë, pavarësisht rrethanave”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se Uashingtoni pret që Moska të vazhdojë të ofrojë qasje në vizita.
“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Federatës Ruse që ta lirojë menjëherë Evan Gershkovichin dhe ta lirojë shtetasin tjetër amerikan, Paul Whelan, i cili është burgosur gabimisht”, ka thënë mes tjerash zëdhënësi.
Rusia ka thënë se e ka zënë Gershkovichin duke tentuar që të sigurojë sekrete ushtarake, sa ka qenë në një udhëtim në qytetin rus Jekaterinburg, mirëpo nuk ka ofruar dëshmi për ta mbështetur pretendimin.
SHIKONI EDHE: Kush është Evan Gershkovich dhe për çka e akuzon atë Rusia?Edhe Wall Street Journal i hedh poshtë akuzat.
Departamenti amerikan i Shtetit konsideron se Gershkovich dhe Whelan janë arrestuar gabimisht dhe i ka përshkruar akuzat ndaj tyre si të pabaza.
Whelan, ish-pjesëtar i marinës amerikane, është ndaluar në Moskë më 2018 dhe tani e vuan një dënim prej 16 vjetësh nën akuzat për spiunim.
Rusia është pajtuar në të kaluarën që t’i këmbejë të burgosurit me Shtetet e Bashkuara.
Rasti i fundit ka qenë vitin e kaluar, kur ylli amerikan i basketbollit Brittney Griner, është këmbyer me Viktor Bout, trafikantin rus të armëve, i cili ka qenë i dënuar në Shtetet e Bashkuara.
SHIKONI EDHE: Kush janë amerikanët që janë ende të burgosur në Rusi?Megjithatë, Moska ka thënë se nuk do të mund të ndodhë këmbimi i Gershkovichit derisa të merret ndonjë vendim për të, ndonëse nuk është caktuar data e nisjes së gjyqit.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët në më shumë se gjashtë dekada, si pasojë e nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.