Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka kritikuar Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve në Kosovë – për mosreagim ndaj trajtimit që i është bërë Rada Trajkoviqit.
“I papranueshëm trajtimi i aktivistes serbe nga Kosova, Rada Rrajkoviq. Vë re se Lista Serbe nuk ka pasur asnjë reagim. Standarde të dyfishta?”, ka pyetur ambasadori Rohde.
Trajkoviq, këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, javën e kaluar u pengua për disa orë nga autoritetet kufitare serbe.
Të premten, gjatë rrugës nga Kosova për në Serbi, Trajkoviq qëndroi për disa orë në pikën kufitare të Merdarës.
Më pas asaj iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe u dërgua me autoambulancë në Prokuple të Serbisë. Një ditë më vonë, ajo u lirua nga spitali.
Lista Serbe ka kritikuar emërimin e Rashiqit në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, postë që më herët mbahej nga kreu i kësaj partie, Goran Rakiq.
Por, Rakiq dhe zyrtarë të tjerë serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në muajin nëntor, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS- Republika e Kosovës.
Rashiq, që udhëheq Partinë Demokratike Progresive, me seli në Graçanicë, kundërshton politikat e Listës Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit.
Emërimi i Rashiqit dhe Trajkoviqit është kritikuar nga Beogradi zyrtar.