Kosova përgjatë këtyre dhjetë viteve shtet u identifikua në botë më shumë figura të sportit, kulturës e shkencës, si ambasadorët më të mirë të saj.
Me sukseset e tyre individuale, shumë prej tyre arritën të ngritin flamurin e Kosovës në vendet ku politika dhe diplomacia e vendit nuk depërtoi dot.
Sportistët kosovarë me arritjet e tyre, i sollën medalje të arta Kosovës, duke ndikuar në njohjen e shtetit të Kosovës nga mbarë bota.
Xhudistja Majlinda Kelmendi, e kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike është vetëm njëra nga shumë xhudistë tjerë që me suksesin e tyre në fushën e sportit, bënë që shtetin e Kosovës ta njohë bota.
Kelmendi bëri që të ngrihet dhe nderohet flamuri i Kosovës në dy nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur atë, në Rusi në Kampionatin Botëror në vitin 2014, si dhe në Rio de Janeiro në Brazil, në Lojërat Olimpike në vitin 2016.
Kosova për herë të parë po merr pjesë edhe në Lojërat Olimpike Dimërore. Skitari Albin Tahiri është sportisti i vetëm që po mbron ngjyrat e flamurit të Kosovës në këto gara.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se sportistët kanë qenë ambasadorët më të mirë të Kosovës, përgjatë këtyre 10 viteve të Kosovës shtet i pavarur.
“Duhet pranuar se sportistët ishin ata që ngritën Kosovën në piedestalin më të lartë të mundshëm. Është e tepërt të flitet për xhudisten Majlinda Kelmendi, e cila ishte simbol i Kosovës në këtë drejtim. Po ashtu, edhe në Paris së fundi ku Akil Gjakova u stolis me mendjen e artë dhe Distria Krasniqi me medaljen e bronztë. Mendoj që këto suksese kanë bërë që Kosova të njihet më komod dhe imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është përmirësuar në nivelin më të lartë të mundshëm”, thotë Vokrri.
Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në Skandivani.
Por, fusha e sportit nuk është e vetme që ka prodhuar talentë. Kosova sot admirohet në botën e muzikës, kur përmenden emrat si Rita Ora dhe Dua Lipa. Derisa, në botën e filmit, Kosova u tregua e suksesshme në arenën ndërkombëtare me filmin “Shok”, i cili ishte nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”, të cilin e ndan Akademia e Filmit, Pikturës, Arteve dhe Shkencave në Hollywood.
Pavarësisht se nuk u kurorëzua me këtë çmim, konsiderohet se ky film përcolli një mesazh mjaft pozitiv nga dhe për Kosovën.
Arkitektja dhe këngëtarja nga Kosova, Eliza Hoxha duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se këta të rinj të cilët me sukseset e tyre identifikuan Kosovën në botë, jo gjithherë shteti i tyre ka qenë ndihmues i procesit të zhvillimit të tyre.
Sipas saj, në shumtën e rasteve këto prezantime kanë qenë dëshirë dhe vullnet vetanak.
“Kosova duhet të punojë më tutje, për ta pasur të qartë se cilat janë pikat e saj të forta, ku rinia e saj dhe njerëzit e saj janë më të mirë, ku kanë vullnet që të zhvillohen, që të krijohen mundësi, ose të ketë një vizion më të qartë sesi mundet që t’i stimulojë dhe t’i përkrahë në rrugëtimin e tyre, në mënyrë që ata ta realizojnë veten, por në të njëjtën kohë edhe ta brendojnë Kosovën edhe t’ia krijojnë një imazh të mirë Kosovës edhe nga jashtë”, thotë Hoxha.
Imazhi i Kosovës më botë është i dyfishtë, shton Hoxha. Sipas saj, Kosova ka shumë rrëfime negative në raste të caktuara, sidomos këto kohët e fundit për çështje të ndryshe që lidhen me politikën e brendshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Përderisa, lajmet e mira që i dëgjojmë, në shumicën e rasteve janë nga fusha e sportit e kulturës.
“Normalisht, tani ka një infrastrukturë, duke qenë që Majlinda Kelmendi është kampione e botës, pastaj kemi edhe akterë të tjerë pas saj që shkojnë, xhudistë të tjerë, muzikantë të shumtë si Ramë Lahaj për shembull, për të cilin shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë. Ai të gjitha i ka bërë vetë. Por, që për pjesën e sportit, Kosova tashmë është pjesë e shumë mekanizmave. Gradualisht, të rinjtë kanë motivacion, duke e përcjell modelin e Majlindës dhe kolegëve të saj, që të fillojnë të punojnë më shumë dhe të ndjekin ëndrrën e tyre”, shton Hoxha.
Your browser doesn’t support HTML5
Sukseset nuk kanë munguar edhe në fushën e teknologjisë. Blinera Meta, Dafina Olluri dhe Blerta Thaçi krijueset e platformës “Open Data Kosovo” janë zgjedhur ndër 30 finalistët në listën e revistës Forbes “30 under 30”, në kategorinë “Ligj dhe Politikë”.
Your browser doesn’t support HTML5
Pavarësisht përpjekjeve që nga shpallja e pavarësisë të Kosovën në vitin 2008 imazhi, i cili është krijuar në sytë e botës për Kosovën, ende mbetet i zymtë.
Kosova, ka proklamuar si orientim integrimet euro-atlantike. Por, evropianët e rinj, mbeten më të izoluarit e Evropës, jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kurse proklamimi për integrime evropiane, sfidohet bindshëm nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.