Ambasada amerikane në Prishtinë, ka thënë të premten se arsyetimi i Kuvendit të Kosovës për të shkarkuar bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka qenë i pakët dhe se shkarkimet duhet të bazohen në të dhëna trasparente.
“Sharkimet e nxituara dhe të njëanshme dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore. Reformat me efekt afatgjatë kërkojnë qasje të matur dhe metodike, që vendosin interesat e Kosovës të parat dhe ato të partive politike anash”, është thënë mes tjerash në deklaratën e Ambasadës.
Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar të enjten anëtarët e bordit të televizionit publik të Kosovës – Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Deputetët votuan për shkarkimin e tetë antarëve të bordit, pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Kryetar i bordit të RTK-së ka qenë Sali Bashota.
Në mesin e anëtarëve të tjerë kanë qenë edhe: Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.
Vetë anëtarët e bordit të RTK-së, e kanë quajtur vendimin për shkarkim si politik, antiligjor dhe ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.
Përmes një reagimi të përbashkët, bordi ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për ta kundërshtuar atë, që e ka konsideruar, vendim arbitrar.
“Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave”, është thënë mes tjerash në reagim.
SHIKONI EDHE: Bordet e ndërmarrjeve publike, të “rezervuara” për burraKryetarja e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë gjatë seancës se, rekomandimi për shkarkim bëhet në pajtim me Ligjin për RTK-në.
Ajo ka thënë se ”anëtarët e bordit drejtues në vazhdimësi kanë dështuar t’i sigurojnë qasje të papenguar dhe të pakontestuar Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në auditivin e rregullsisë dhe performancës”.
Sipas saj, viteve të fundit ka pasur tendencë për shpenzime të mëdha dhe rritje të pakontrolluar të numrit të puntorëve.
Kica-Xhelili ka thënë se, më 2020, në RTK ishin të punësuar 1,024 puntorë, nga të cilët 806 me kontrata të rregullta.
Radio Televizioni i Kosovës është transmetues publik i Kosovës, me mision informues, edukues, kulturor dhe argëtues.
Themelues i RTK-së është Kuvendi i Kosovës dhe, sipas ligjit, Kuvendi mbron autonominë institucionale dhe siguron financim adekuat për realizimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së, të përcaktuar me këtë ligj.
Bordi i RTK-së është organ kolegjial-drejtues i RTK-së me 11 anëtarë, në mesin e cilit, sipas ligjit, duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia, biznesi dhe menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, universiteti, media dhe teknikë.