Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë u është përgjigjur të martën pyetjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me çështjen e pronës shtetërore në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se është e qartë se prona shtetërore i përket shtetit.
Më herët të martën, Vuçiq e akuzoi Ambasadën amerikane në Sarajevë se ka shkaktuar “krizë” në Bosnje e Hercegovinë (BeH) duke pretenduar se prona shtetërore nuk u takon entiteteve por shtetit.
“Si, ku dhe prej kur shkruhet diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve”, shkroi Vuçiq në llogarinë e vet në Instagram.
Ambasada amerikane iu përgjigj pa humbur kohë duke thënë se nuk ka nevojë të rishikohet historia ligjore e dokumentuar mirë, e as vendimet gjyqësore në lidhje me pronën shtetërore në BeH.
SHIKONI EDHE: Vuçiq iu përgjigjet kritikave për “kuvendin gjithëserb” duke e akuzuar Ambasadën amerikane"Siç tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, në një fjalim në shkurt 2024: ‘Ka një mënyrë për të folur për pronën duke folur për të në institucionet përkatëse. Por pikënisja është ende e qartë: prona i përket shtetit’”, tha Ambasada Amerikane në Sarajevë.
O'Brien tha në shkurt se në vitin 2001 BeH nënshkroi Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila u ratifikua nga Asambleja Parlamentare e BeH dhe ia atribuoi pronën shtetërore BeH-së, e jo entiteteve të saj.
Bosnje e Hercegovina përbëhet nga federata bosnjako-kroate dhe nga Republika Sërpska, nën një qeveri të dobët qendrore.
Bosnje e Hercegovina nuk ka ligj për pronën shtetërore tash e 20 vjet për shkak të mungesës së konsensusit politik.
Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, është përpjekur vazhdimisht të zbatojë një ligj pronësie që synon transferimin e pronës shtetërore të Bosnjës te Republika Sërpska, pavarësisht se kjo është jokushtetuese.
SHIKONI EDHE: Schmidt u bën thirrje politikanëve në Bosnje të gjejnë zgjidhje për çështjen e pronaveVuçiqit ngriti pyetje për pronën shtetërore në BeH pas kritikave të Ambasadës Amerikane në Sarajevë në lidhje me të ashtuquajturin kuvendin gjithëserb, të mbajtur në Beograd më 8 qershor.
Ai kuvend u organizua nën sloganin“Një popull, një kuvend - Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.
Të hënën, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se Deklarata e përbashkët mes Serbisë dhe Republika Sërpska buron nga dezinformatat ligjore dhe është e mbushur me plot gabime.
Republika Sërpska është përpjekur në të kaluarën të nxjerrë ligje që do të rregullonin çështjen e pronës në nivel entiteti. Por, përpjekjet e saj janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës.
Ambasada amerikane rikujtoi në maj 2023 se "sipas ligjit ndërkombëtar dhe praktikës së vendosur shtetërore, vetëm shtetet kanë autoritetin e nevojshëm për të trashëguar të drejtat dhe detyrimet e shteteve paraardhëse, dhe në këtë rast, është shteti i Bosnje e Hercegovinës”.
Në atë kohë, ajo theksoi se kjo çështje ishte zgjidhur me Kushtetutën e BeH - e cila është pjesë e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit - e cila thotë: "Republika e Bosnje e Hercegovinës, emri zyrtar i së cilës tani e tutje do të jetë 'Bosnje e Hercegovina', do ta vazhdojë ekzistencën e saj ligjore sipas të drejtës ndërkombëtare si shtet”.
Në shtator të vitit 2004, Këshilli për Zbatimin e Paqes i kërkoi Bosnje e Hercegovinës që të gjente një zgjidhje të përhershme për çështjen e pronës shtetërore dhe dhënia e kësaj prone u ndalua me ligjin e vendosur një vit më vonë nga përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnje e Hercegovinë, Paddy Ashdown.