Alexander “Sasha” Kasanof ka marrë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.
Këtë post paraprakisht e kishte mbajtur Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj të këtij viti.
Kasanof, që nga 19 korriku, sipas ueb-faqes së DASH-it, është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të DASH-it.
Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Detyrat e Sashas në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, zëvendësdrejtor i stafit të Sekretariatit ezekutiv, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale”, thuhet në ueb-faqen e DASH-it.
Sipas biografisë të publikuar nga DASH-i, Alexander “Sasha” Kasanof ka përfunduar studimet në Kolegjin Kombëtar të Luftës, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins dhe në Kolegjin Hamilton.
Ai flet gjuhën frenge, italiane, ruse dhe spanjolle.