Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur në burg, u tha në një deklaratë të lëshuar nga një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve. Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.
Familja dhe ekipi i tij ligjor nuk kanë konfirmuar raportimet për vdekjen e opozitarit rus. Sipas ligjeve ruse, kur vdes një i burgosur, familja e tij duhet të njoftohet brenda 24 orësh.
Gruaja e Navalnyt: Regjimi i Putinit duhet të mbahet përgjegjës
Bashkëshortja e Navalnyt, Yulia, deklaroi se nuk mund t’i besojë lajmit për vdekjen e bashkëshortit të saj.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih, ajo tha se nëse vërtetohet se Aleksei Navalny ka vdekur, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Qeveria e tij, duhet të dalin para drejtësisë.
“Nëse kjo është e vërtetë do të doja që Putini dhe të gjithë stafi i tij, të gjithë rreth tij, Qeveria e tij, miqtë e tij ta dinë se do të ndëshkohen për atë që kanë bërë me shtetin tonë, me familjen time dhe me bashkëshortin tim. Ata do të sillen para drejtësisë dhe kjo ditë do të vijë shumë shpejt”, tha ajo.
Bashkëshortja e Navalnyt i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet për të luftuar kundër udhëheqjes aktuale ruse.
“Por, dua t’i bëj thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar, të gjithë njerëzve në botë, ne duhet të bashkohemi dhe duhet të luftojmë kundër kësaj ligësie, duhet ta luftojmë këtë regjim të tmerrshëm në Rusi. Ky regjim i Vladimir Putinit duhet që personalisht të mbahet përgjegjës për të gjitha mizoritë që kanë kryer në shtetin tonë viteve të fundit”, tha ajo.
Si raportoi Rusia për vdekjen e Navalnyt?
Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.
Një autoambulancë shkoi në tentim për t'i ofruar ndihmë mjekësore, por ai vdiq, u tha në deklaratë.
*Video: Në paraqitjen e tij të fundit në video, Navalny bënte shaka me zyrtarët e burgut
Your browser doesn’t support HTML5
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.
Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.
*Video nga arkivi
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërkaq, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.
"Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t'iu njoftojmë", shkroi ajo.
Avokati Leonid Solovyov tha për Gazetën Novaya se me kërkesë të familjes, ai nuk do të komentojë raportimet për vdekjen e Navalnyt.
“Me vendimt ë familjes së Aleksei Navalnyt, unë nuk do të komentoj për asgjë. Aleksei u takua me një avokat më 14 shkurt. Gjithçka ishte në rregull”, citohet të ketë thënë Solovyov.
Pasi u shpërnda njoftimi i autoriteteve ruse brenda vendit dhe në mbarë botën, disa persona vendosën lule në ndërtesën ku Fondacioni i Navalnyt Kundër Korrupsionit kishte selinë para se Qeveria ta mbyllte dhe ta shpallte organizatë “ekstremiste”.
Të tjerë u mblodhën para ambasadave ruse, në shtete sikurse Gjeorgjia dhe Armenia, përderisa janë paralajmëruar edhe ndezje të qirinjve në shumë qytete në mbarë Evropën.
“Nëse vendosin të më vrasin, i bie që ne jemi jashtëzakonisht të fortë. Ne duhet ta përdorim këtë fuqi, të mos dorëzohemi, të kujtojmë se ne jemi fuqi e madhe që po shtypet nga këta njerëz të këqij. Ne nuk e kuptojmë se sa të fortë jemi realisht. E vetmja gjë e nevojshme që kjo ligësi të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Pra, mos u bëni pasiv”, tha Navalny në fund të dokumentarit, me emrin e tij, që fitoi Çmimi Oscar.
Reagimet e udhëheqësve botërorë
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, gjatë një adresimi nga Konferenca e Munihut, fajësoi Rusinë për vdekjen e raportuar të Navalnyt.
“Ky është një lajm i tmerrshëm, për të cilin po punojmë që ta konfirmojmë. Nëse konfirmohet, ky do të ishte një tregues i mëtejmë i brutalitetit të Putinit. Çfarëdo rrëfimi që ata të kenë [Rusia], më lejoni të jemi të qartë: Rusia është përgjegjëse. Më vonë do të komentojmë më shumë për këtë çështje”, tha ajo.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse raportimet janë të sakta, shpreh ngushëllime për gruan dhe familjen e tij.
“Përtej kësaj, vdekja e tij në një burg rus dhe fiksimi dhe frika e një individi vë në pah dobësim dhe kalbjen e sistemit që Putini ka ndërtuar. Rusia është përgjegjëse për këtë”, tha Blinken gjatë një deklarimi nga Munihu.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e cilësoi Navalnyn si një trim “që ia dedikoi jetën shpëtimit të nderit të Rusisë”.
“Përderisa po presim informacione të mëtejme, le të jemi të qartë: kjo është përgjegjësi e Putinit”.
Your browser doesn’t support HTML5
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Navalny “ka paguar për guximin e tij me jetën e tij”. Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se në Rusinë e sotme, kundërshtarët dërgohen në burg dhe dënohen me vdekje.
“Nderoj kujtimin e Aleksei Navalnyt, përkushtimit të tij dhe kurajës së tij”, tha ai.
ndërkaq ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, shkroi në X se “vdekja në burg [e kritikut të Kremlinit] na kujton të gjithë ne realitetin e regjimit të Putinit”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Navalny bëri "sakrificën përfundimtare" në luftën e tij për "vlera të lirisë dhe demokracisë".
Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu “pikëllim” dhe shqetësim lidhur me raportimet për vdekjen e Navalnyt, duke kërkuar që të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, e cilësoi si “lajm të tmerrshëm” vdekjen e raportuar të Navalnyt.
“Si avokuesi më i madh për demokracinë ruse, Navalny gjatë jetë së tij ka treguar një kurajë të jashtëzakonshm”, shkroi ai në X.
Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë më 16 shkurt, tha se është e ndërlikuar të konfirmohet një lajm që vjen nga një shtet si Rusia, por ajo shtoi se nuk do të ishte e befasuar që lajmi për vdekjen e Navalnyt të jetë i vërtetë “sepse ne e dimë që regjimi në Kremlin, një regjim vrasësë, praktikisht ndjek kundërshtarët e tij” qoftë brenda Rusisë, apo edhe jashtë shtetit.
Për lajmin rreth Navalnyt ka reaguar edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, duke thënë se raportimet për vdekjen e tij në burg, tregojnë se “ai jetoi dhe vdiq për vlerat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.
SHIKONI EDHE:
Kundërshtarët e Putinit: Të burgosur, të helmuar, në ekzil"Ujku polar": Si u gjet Navalny në burgun e ashpër ku u dërguaDënimet e shqiptuara nga Rusia për Navalnyn
Më 14 shkurt, autoritetet kishin njoftuar se Navalny ishte dërguar në izolim për të 27-herë që kur ishte burgosur tri vjet më parë.
Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes, pasi është helmuar me agjent të tipit Noviçok, më 2020 – për çka i kishte fajësurn operativët rusë të sigurisë se kanë vepruar në emër të presidentit rus, Vladimir Putinit – u ndalua më 17 janar 2021, në aeroportin e Moskës, pasi ka arritur aty prej Gjermanisë, ku është trajtuar pas helmimit.
Atij iu shqiptua dënimi prej dy vjetësh e gjysmë burgim për shkelje të kushteve të një lirimi të mëhershëm me kusht, pasi ishte larguar jashtë vendit për trajtim mjekësor.
SHIKONI EDHE: Rusët që vdiqën pas përplasjeve me KremlininKremlini ka mohuar se ka pasur gisht në helmimin e Navalnyt.
Në mars të vitit 2022, Navalny u dënua me nëntë vjet burgim për përvetësim dhe mashtrim.
Më pas, Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnyt dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u shpallën “organizata ekstremiste” dhe veprimtaria e tyre u ndalua pas arrestimit të tij. Kjo ngjarje nxiti një hetim të ri ndaj kritikut të Kremlinit nën dyshime për ekstremizëm.
Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë e dënoi Navalnyn me 19 vjet burgim nën akuza për ekstremizëm.
Ai dhe ekipi i tij vazhdimisht kanë argumentuar se akuzat ishin të motivuara politikisht dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kishin cilësuar Navalnyn si të burgosur politik.
Së fundi, Navalny u dërgua të vuante dënimin në burgun famëkeq, IK-3 në Siberi, i njohur edhe si “Ujku polar”.
*Lajmi është duke u përditësuar