Një gjykatë në Moskë ka marrë vendim për shndërrimin e dënimit me kusht në dënim me burgim prej 3 vjet e gjysmë për liderin opozitar, Aleksei Navalny.
Gjykata vendosi të shndërrojë dënimin me kusht të Navalnyt në kohë reale burgu. Kjo çështje është vlerësuar të jetë e motivuar politikisht.
Navalny i tha gjykatës së prapa burgimit të tij qëndrojnë "urrejtja dhe frika" e presidentit rus, Vladimir Putin.
Navalny theksoi se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur që dënimi i tij i vitit 2014 ishte i paligjshëm dhe Rusia i pagoi atij kompensim në përputhje me vendimin.
"Qëllimi i këtij gjyqi është të frikësojë në numër të madh njerëzish", tha Navalny duke shtuar se "ata burgosin një njeri për të trembur miliona të tjerë"
Seanca u mbajt në kohën kur zemërimi ndërkombëtar për ndalimin e tij është në rritje dhe pasi dhjetëra-mijëra rusë protestuan në dy fundjavat e kaluara.
Këto ishin protestat më të mëdha kundër presidentit, Vladimir Putin, gjatë një dekade.
Your browser doesn’t support HTML5
Aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalny ishte i pranishëm në gjykatë, ndryshe nga herët e tjera kur ai u shfaq përmes video-lidhjes nga një qendër paraburgimi.
Para se të fillonin procedurat, ai lavdëroi Julian, gruan e tij, e cila ishte e pranishme.
Një ditë më parë ajo ishte gjobitur për pjesëmarrje në një protestë kundër burgosjes së tij.
"Ata thanë që ti kishte shkelur rendin publik dhe ishe një vajzë e keqe. Jam krenar me ty", tha Navalny.
Pse u ndalua Navalny?
Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny u arrestua më 17 janar, pasi arriti në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për disa muaj, pas helmimit në gushtin e kaluar. Navalny thotë se pas këtij helmimi qëndron presidenti rus, Vladimir Putin. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.
SHIKONI EDHE: Miku i Putinit thotë se ai është pronar i ‘pallatit të Putinit’Një gjykatë në Rusi i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokurorët thonë se Navalny shkeli kushtet e pezullimit të një dënimi më 2014 që kishte të bënte me keqpërdorim fondesh.
Nëse Navalny gjendet fajtor se ka shkelur rregullat e lirimit nga burgu, ai mund të dënohet deri me tre vjet burgim.
Protestat për lirimin e tij
Në dy fundjavat e kaluara policia ruse arrestoi rreth 10.000 njerëz në shumë qytete të cilët protestuan kundër ndalimit të Navalnyt.
Shumë bashkëpunëtorë të ngushtë të Navalny dhe gruaja e tij, Julia, janë arrestuar ose mbajtur në arrest shtëpiak.
Your browser doesn’t support HTML5
Aleatët e kritikut të Kremlinit u kanë bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Gjykatën e Qytetit të Moskës gjatë kohës kur po mbahet seanca dëgjimore. Policia e kryeqytetit tha se rrugët në zonë do të mbyllen. Para fillimit të seancës policia u rreshtua para rrugëve përreth kompleksit të gjykatës.
Reagime ndërkombëtare
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Navalnyt dhe përfundimin e dhunës policore kundër protestuesve.
Në një intervistë televizive të transmetuar më 1 Shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ai ishte "thellësisht i shqetësuar nga shtypja e dhunshme" dhe se administrata amerikane po konsideronte një përgjigje ndaj ndalimit të Navalnyt.
Blinken nuk përmendi sanksione specifike kundër Moskës.
Zyrtarët e BE kanë thënë se ata janë duke pritur rezultatet e seancës dëgjimore ndaj Navalnyt në mënyrë që të përgjigen me masa - përfshirë sanksione më gjithëpërfshirëse ndaj Moskës.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell do të qëndrojë në Moskë nga 4 deri më 6 shkurt për t'u takuar me zyrtarët e lartë rusë dhe shoqërinë civile.