Vuçiq para takimit të Ohrit: Do të ruajmë Serbinë e plotë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Qeveria në Beograd do të ruajë “Serbinë e plotë, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë”.

Në Kushtetutën serbe, Kosova figuron si pjesë e Serbisë.

Ai këto deklarata i bëri më 17 mars gjatë një vizite në perëndim të Serbisë, një ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku do të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi bërë shumë gabime në të kaluarën dhe nuk duhet të përsërisim gabime të tilla”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia “nuk do të izolohet”.

“Para nesh na pret një periudhë jo lehtë, por kur ne udhëheqim një politikë të përgjegjshme, serioze dhe të mençur, Serbia del fituese”, tha Vuçiq dhe përsëriti se ai do të “ruaj paqen”.

SHIKONI EDHE:

Vuçiq: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në takim me KurtinBorrell: Është koha për Kosovën dhe Serbinë të marrin përgjegjësi

Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë - që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së - do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit.

Escobar më 17 mars në Prishtinë u takua me krerët shtetërorë dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Escobar, tha se në Ohër delegacioni i Kosovës “udhëton me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”.

“Propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit pas takimit me Escobar.

SHIKONI EDHE: Escobar optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

SHIKONI EDHE:

Modelet e përmendura për AsociacioninTeksti i propozimit evropian

Propozimi evropian përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Serbia insiston që Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë e dialogut, e mbështesin atë.