Vuçiq: Pres takime të vështira në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Një ditë para vizitës së tij në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se takimet e planifikuara nuk janë të lehta, por Serbia është e gatshme të bisedojë për planin e ri të të dërguarve evropianë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ata po trokasin në derë të hapur”, tha Vuçiq më 25 tetor për Radio Televizionin e Serbisë.

Plani është prezantuar nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, gjatë takimeve që kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel më 26 tetor për takime me liderët e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Në këto takime do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

SHIKONI EDHE: Kurti para takimit në Bruksel: S’ka dialog pa u sanksionuar Serbia

Vuçiq tha për transmetuesin publik serb se ai po ashtu do të takohet me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Lideri serb tha se pozicioni i shtetit të tij është bërë edhe më i vështirë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës.

Ai përkujtoi se "shumica e shteteve të fuqishme perëndimore" veçse e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

"Ata vetëm do të kërkojnë për mënyrën se si ta bindin Serbinë të pajtohet për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës", tha Vuçiq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është planifikuar një takim midis Kurtit dhe Vuçiqit.

Ftesa e Kurtit dhe Vuçiqit për takime në Bruksel vjen pasi përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” qëndruan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe bën thirrje që palët të normalizojnë raportet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit.

Ndërkaq, Stano ka konfirmuar se gjatë vizitës së përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, të dyja palëve u është prezantuar një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se ai duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

SHIKONI EDHE: BE-ja thotë se takimet e së enjtes janë “mbështetje” për dialogun

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t'i kthehen dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, pas rritjes së tensioneve mes dy shteteve.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit - të bojkotuara nga serbët.

Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.