Vuçiq i thotë Lajçakut se është “shumë i shqetësuar” lidhur me situatën në Kosovë

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 5 korrik 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha përfaqësuesit të posaçëm të bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se është “shumë i shqetësuar lidhur me zhvillimin e ngjarjeve” në Kosovë.

Vuçiq dhe Lajçak u takuan në Beograd më 30 gusht dhe sipas një postimi të bërë në llogarinë e presidentit serb në Instagram, zhvilluan një takim prej më shumë se dy orësh.

Takimi në Beograd vjen pasi Lajçak tha më 28 gusht se kishte zhvilluar “një takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, si pjesë e përgatitjeve për rundin e ri të dialogut në nivel të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.

“Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.

SHIKONI EDHE: Kurti dhe Lajçak bisedojnë për rundin e ri të dialogut

Më 30 gusht, Bashkimi Evropian përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 3 qershor, BE-ja tha se pret nga Kosova dhe Serbia të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe menjëherë të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – të garantojnë sigurinë dhe pjesëmarrjen demokratike të të gjithë qytetarëve dhe të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur në Bruksel më 27 shkurt.

SHIKONI EDHE: BE: Kosova dhe Serbia t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut

Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit janë takuar më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës, që u bojkotuan nga serbët.

Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të BE-së, blloku evropian ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në korrik, në Bratisllavë Kosova dhe BE-ja u pajtuan për hapat drejt shtensionimit, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

HapiVeprimiKoha
1

Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t'u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Java e parë
2

Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Nga java e parë, në vazhdimësi
3

Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4

BE-ja do t'i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.

Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por ka theksuar se fushata zgjedhore duhet të jetë e lirë.