Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisi më 11 mars fushatën për formimin e Lëvizjes popullore për shtetin.
Lëvizja do të duhej të përfshinte parti e individë dhe nuk nënkupton shuarjen e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila ka pushtetin në Serbi dhe udhëhiqet nga Vuçiqi.
Megjithatë, ai nuk dha detaje për arsyet e formimit të saj.
Deklarimet vijnë në prag të një takimi të Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe pritjeve të Perëndimit për të bërë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Kjo gjë kundërshtohet nga forcat e spektrit politik të djathtë në Serbi.
SHIKONI EDHE: Djathtistët serbë protestojnë kundër propozimit evropianÇka është Lëvizja popullore për shtetin?
Lëvizja që planifikon ta formojë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u paralajmërua si një lloj “lëvizjeje popullore” për vendin.
Duke folur më 11 mars në Vranjë - qytet në jug të Serbisë - ai i porositi qytetarët që ta konsiderojnë anëtarësimin në “lëvizjen e madhe popullore”.
“Për vendin tonë të vetëm që kemi - Serbinë - që duhet ta ruajmë për fëmijët tanë”, tha ai.
Pak ditë më parë, gjatë një paraqitjeje televizive, Vuçiq tha se ajo do të ishte një lëvizje për “normalitet, racionalitet, mirësjellje” dhe për “një Serbi të suksesshme”.
Ai tha se nuk kërkon mbështetje për veten e tij, por se dëshiron që njerëzit ta kuptojnë se “çfarë na pret dhe cila është rruga e vetme”.
Sipas tij, kjo është rruga e normalitetit dhe seriozitetit.
Paralajmërimet e para për formimin e lëvizjes, Vuçiq i bëri në mes të shtatorit të vitit 2022.
Asokohe, ai tha se në gjashtë muajt e ardhshëm duhet të krijohet një “lëvizje e madhe shtetformuese dhe kombëtare për mbijetesën dhe përparimin e Serbisë”.
SHIKONI EDHE: Roli i dyfishtë i djathtistëve për pushtetin e VuçiqitMegjithatë, deri në muajin mars nuk u ndërmor asnjë hap konkret në këtë drejtim.
Ende nuk dihet as emri i lëvizjes. Krahas termit Lëvizja popullore për shtetin përdoret edhe termi Lëvizja popullore për mbrojtjen e Serbisë.
Më 9 mars, Vuçiq tha për Televizionin Happy të Serbisë se për këtë do të vendosin qytetarët.
Kush do ta përbëjë Lëvizjen?
Sipas paralajmërimeve të Vuçiqit, Lëvizja duhet të ketë karakter mbipartiak. Por, do të mblidhte edhe parti e, përveç tyre, edhe intelektualë.
Vuçiq pret që Lëvizjes t’i bashkohen shumë njerëz që duan “të ofrojnë mbështetje për ruajtjen e Serbisë në kohë të vështira”.
Sipas tij, formimi i një lëvizjeje të re nuk do të thotë se Partia Përparimtare Serbe, të cilën e drejton ai, do të shuhet.
Ai shfaqi shpresën se partia e tij, si dhe shumë të tjera, do t’i bashkohen Lëvizjes.
Kur do të formohet?
Sipas paralajmërimeve, Lëvizja duhet të formohet në fund të majit ose në fillim të qershorit.
Deri atëherë do të punohet në formën e saj organizative.
Vuçiq dëshiron ta bëjë politikën e Lëvizjes së re deri në Kuvendin e SNS-së, në mënyrë që ajo parti, siç tha, të mund të pajtohet me të “nëse do”.
Pse formohet?
“Në këto rrethana, kur jemi nën presion nga jashtë, është e rëndësishme që të angazhohen të gjithë njerëzit e zgjuar nga partitë dhe jashtë tyre, njerëz që janë për një Serbi normale dhe të denjë, të bashkohemi, t’i bashkojmë njohuritë që i kemi”.
Kështu e shpjegoi presidenti i Serbisë arsyen e formimit të Lëvizjes.
“Kemi aq shumë intelektualë, aq shumë artizanë të mirë, aq shumë punëtorë të ndershëm, fshatarë të mirë. Le të bashkohemi të gjithë dhe të përpiqemi të përballojmë në dy vjetët e ardhshëm gjithçka që ndodh rreth nesh”, tha Vuçiq.
Nevojën për angazhimin e “të gjithë njerëzve të zgjuar”, Vuçiq e justifikoi me momentin aktual gjeopolitik.
Perëndimi i kërkon Serbisë - përveç arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën - t’u bashkohet edhe sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainën fqinje.
Për Vuçiqin, formimi i Lëvizjes është edhe thirrje për një kundërshtim të përgjithshëm ndaj “aventurizmit dhe presioneve të jashtme dhe të brendshme”.
Por, përveç këtyre, Vuçiq nuk dha më shumë detaje.
Më herët, në tetor të vitit 2022, kur foli për nevojën e arritjes së unitetit, ai tha se një nga pikat kryesore të Lëvizjes së re do të ishte edhe përballja me krimin në Qeveri.
Kush u deklarua për Lëvizjen?
Në ditën kur Vuçiq ishte në jug të Serbisë, udhëheqës të partive të djathta serbe vizituan disa qytete në atë zonë që nuk ishin në itinerarin e Vuçiqit.
Partitë dhe lëvizjet e djathta kundërshtuan bashkërisht një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, duke thënë se ai çon në njohjen e Kosovës.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja “shtrëngojnë lakun” rreth Kosovës dhe SerbisëNë mesin e tyre janë grupet parlamentare: Partia e Re Demokratike (DSS), Dveri dhe Zavetnici.
Gjatë një takimi në Bruksel më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar propozimin evropian, i njohur më herët si plani franko-gjerman.
Në njërin prej atyre tubimeve, kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq, e cilësoi si “pafytyrësi” deklaratën e Vuçiqit për formimin e Lëvizjes popullore.
Nga forumi i quajtur “Jo kapitullimit”, Jovanoviq, siç raporton Jugpres, tha se partia e tij do ta pengojë pavarësinë e Kosovës.
Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe ajo u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Beogradi zyrtar, i mbështetur edhe nga Rusia dhe Kina, refuzon ta njohë Kosovën si shtet.
Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së krahut të djathtë, Zavetnici, i tha gazetës Danas më 10 mars se formimi i Lëvizjes së re është një përpjekje “e dëshpëruar” e presidentit të shtetit për të fituar mbështetjen më të gjerë të mundshme publike për politikën e tij të jashtme “katastrofike”.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e SerbisëAjo shtoi se formimi i Lëvizjes konfirmon zvogëlimin e mbështetjes për Partinë Përparimtare Serbe.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në prill të vitit 2022, SNS-ja dhe partnerët e saj të koalicionit fituan 120 mandate nga 250 sa ka Parlamenti i Serbisë.
Udhëheqësi i Partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjillas, tha se për SSP-në, kundërshtarë politikë janë edhe ata që do ta formojnë Lëvizjen popullore të Vuçiqit, edhe organizatat “ekstremiste”, si Dveri dhe Zavetnici.
Më 10 mars, në një forum në Loznicë, në perëndim të Serbisë, Gjillas tha se pasojat e të dyja politikave janë katastrofike për Serbinë.
Edhe udhëheqësit e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Zoran Llutovac dhe Pavlle Gërboviq, u shprehën kundër pjesëmarrjes në Lëvizjen e Vuçiqit.
Në anën tjetër, partnerët e koalicionit të Vuçiqit e mbështetën idenë e formimit të saj.
Kreu i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq, i tha gazetës Kurir më 10 mars se ai është gjithmonë për qasje të përbashkët, veçanërisht në “kohë të vështira”.
Edhe lideri i Partisë Socialdemokrate të Serbisë (SDPS), Rasim Lajiq, i tha gazetës Danas më 12 mars se është logjike që partia e tij të jetë pjesë e Lëvizjes së re.
SDPS-ja e Lajiqit është pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit.