Vuçiq: Javën e ardhshme Chollet do të vizitojë Beogradin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.

SHIKONI EDHE: Chollet anulon vizitën në Ballkan pasi doli pozitiv me COVID-19

Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq tha se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët evropianë.

"Pas kësaj, unë pres arritjen e të gjithë këtyre ekspertëve nga Evropa", shtoi ai.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë do të qëndrojnë në Beograd në përpjekje për të përshpejtuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Evropian. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Ky dokument nuk është bërë publik, por u është prezantuar të dyja palëve.

"Ata veçse po sillen sikurse ky të ishte një propozim që nuk mund të refuzohet", tha Vuçiq, duke insistuar se ky ende është draft-dokument.

I pyetur se cila do të ishte zgjidhja e pranueshme për Beogradin, Vuçiq tha se Serbia i përmbahet Kushtetutës së saj.

"Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për zgjidhje të panumërta kompromisi”, shtoi ai.

Kushtetuta e Serbisë thotë se Kosova është pjesë e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Viti i dinamizmit të dialogut Kosovë-Serbi

Gjatë konferencës, Vuçiq po ashtu foli edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

"A mund t'i kundërshtojmë në Këshillin e Evropës? Është e vështirë. A mundemi në UNESCO? Ne do të luftojmë", tha ai.

Në maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Vuçiq po ashtu foli për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar se janë në pritje që shteti i dhjetë të tërheqë njohjen, por pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.

Ai pretendoi se nëntë shtete veçse kanë tërhequr njohjen e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës thotë se vendin deri më tani e kanë njohur 117 vende. Autoritetet në Prishtinë më herët kanë hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen.

Ndryshe, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pritjet janë që ky proces të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina dëshiron që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi - pa specifikuar se çfarë saktësisht nënkupton ai kompromis.