Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me liderët e Kosovës dhe Serbisë, me të cilët ka biseduar për tensionet në veri të Kosovës.
Përmes dy postimeve në Twitter, Blinken ka bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Sipas tij, plani trepikësh i BE-së është mënyra më e mirë për të ecur përpara.
Ky plan i kërkon Kosovës:
- Shtensionimin e situatës në veri
- Mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe
- Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas Zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ai bisedoi me kryediplomatin amerikan për situatën në veriun e banuar me shumicë serbe dhe për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.
Sipas Kurtit, zgjedhjeve duhet t'u paraprijë sundimi i ligjit, “për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit”.
Më herët gjatë 26 qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu njoftoi se kishte biseduar me sekretarin Blinken.
Blinken ka insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka mbështetur planin evropian për shtensionim, tha Vuçiq pas bisedës me kryediplomatin amerikan.
Siç tha Vuçiq përmes një postimi në Instagram, gjatë bisedës me Blinkenin, ai ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.
“I thashë [Sekretarit Blinken] se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, tha Vuçiq.
Siç raportohet, Vuçiq gjatë bisedës me Blinkenin ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale “janë të një rëndësie kyçe për të ulur tensionet”.
Kjo bisedë telefonike mes Kurtit dhe Vuçiqit me Blinkenin vjen në mes të përpjekjeve diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Si iu përgjigjën Kurti e Vuçiq kërkesave të BE-së?Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.
Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.
Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në dhunën ndaj ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga veriu.
Zyrtarët në Serbi dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovës, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i konsiderojnë arbitrare këto arrestime.