Steve Bannon - aleati i kamotshëm me ndikim ish-presidentit amerikan, Donald Trump - u dorëzua të hënën te autoritetet e burgut për ta filluar vuajtjen e një dënimi me katër muaj burgim për shpërfillje të Kongresit amerikan.
Bannon ishte shpallur fajtor për mospërfilljen e ftesës së komisionit hetues të Kongresit amerikan, që po hetonte sulmin e 6 janarit 2020 në Kapitol.
Bannon mbërriti në burgun federal të sigurisë së ulët në Danburi, Konektikut, të hënën pasdite.
Duke folur për gazetarë pasi mbërriti për ta vuajtur dënimin, Bannon tha se është “i burgosur politik”.
“Jam krenar që sot po shkoj në burg. Jo vetëm që nuk kam pendesa, por jam krenar për atë që kam bërë”, tha Bannon.
SHIKONI EDHE: Steve Bannon shpallet fajtor për shpërfillje të KongresitIsh-presidenti Donald Trump është kandidati republikan që sfidon presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.
Ky dënim mund ta mbajë Banonin në burg gati deri në ditën e zgjedhjeve. Të burgosurit në burgjet federale nuk kanë qasje në internet apo rrjete sociale, që gjë do ta bënte të vështirë për Bannonin të komunikojë me mbështetësit e vet të podkast “War Room”.
Të premten, Bannon e humbi përpjekjen e çastit të fundit për t’i shpëtuar burgut, kur Gjykata Supreme e hodhi poshtë kërkesën e tij për ta shtyrë dënimin derisa ai ta shterojë procesin e apelit kundër dënimit ndaj tij.
Ai u dënua me katër muaj burgim pasi u shpall fajtor në vitin 2022 për dy akuza për shpërfillje të Kongresit.
Ndaj tij u ngrit aktakuzë pasi nuk kishte pranuar t’i dorëzonte dokumentet, apo të dëshmonte në komisionin hetues të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili udhëhiqej nga demokratët, për trazirat në Kapitol nga mbështetësit e Trumpit, i cili kishte synuar ta parandalonte certifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020.
SHIKONI EDHE: Si i përhapi Trump gënjeshtrat për mashtrime zgjedhore?Bannon ishte këshilltar i rëndësishëm i Trumpit në fushatën për zgjedhjet e vitit 2016, pastaj shërbeu si strateg i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë gjatë vitit 2017.
Bannon nuk është ish-zyrtari i parë i lartë nga Shtëpia e Bardhë gjatë kohës së Trumpit që shkon në burg për mosbashkëpunim me komisionin. Peter Navarro, ish-këshilltar i Trumpit për tregtinë, është dënuar për shpërfilljen e Kongresit gjithashtu.
Navarro u dorëzua në burg në mars, pasi ishte dënuar me katër muaj burgim.