Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka informacione se po përgatiten pengesa për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, që do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Gjatë një deklarate për media, Kurti tha më 18 prill se është në kontakt me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që procesi zgjedhor të zhvillohet i qetë dhe në mënyrë demokratike.
Megjithatë, ai tha se Beogradi zyrtar, përmes mediave, po “frikëson qytetarët serbë” që jetojnë në veri të Kosovës.
“Unë i ftoj që të gjithë këta që kanë të drejtë vote që të dalin dhe të votojnë. E di që kjo qëndron në kontrast me thirrjet që vijnë nga kryeqyteti i fqinjit tonë verior. Por, ne nuk kemi informacione të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengesa, pengime të këtij procesi, përveç frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi zyrtar”, tha ai.
Sipas tij, nuk mund të tolerohet më një shtyrje e zgjedhjeve.
“Ne e dimë që kemi nevojë për legjitimitet dhe legalitet. E dimë që mund të mos jetë shumë e lartë pjesëmarrja në zgjedhje, ndonëse dëshirojmë pjesëmarrje sa më të lartë. Mirëpo, nuk mund të tolerojmë që edhe më tej të shtyhen zgjedhjet, sepse kjo u bë më 10 dhjetor të vitit të kaluar, dhe nuk mund të tolerojmë që të ketë edhe vakum institucional”.
SHIKONI EDHE: KQZ miraton 19 qendra të votimit në veri, 13 prej tyre alternativeKurti tha se gjatë bisedimeve me përfaqësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe shkëmbimit të të dhënave dhe analizave, nuk kanë arritur tek informacionet se po përgatitet që gjatë të dielës të ketë pengesa për procesin zgjedhor.
“Ne zhvillojmë takimet me institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe po bëjmë përgatitje të domosdoshme që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë, të lirshme, të ndershme dhe demokratike. I ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje, moshe e prejardhjeje, që më 23 prill, ata që kanë të drejtë ta shfrytëzojnë atë duke votuar për katër kryetarët e komunave atje dhe janë edhe dy komuna që do t’i zgjedhin edhe asambletë e reja komunale. Kjo duhet të ndodh për shkak se në njërën anë kemi nevojë për legjitimitet demokratik, por në anën tjetër kemi nevojë edhe për funksionim institucional. Kur komunat nuk kanë kryetar, atëherë ato nuk funksionojnë normalisht”, tha Kurti.
SHIKONI EDHE:
Sveçla “i bindur” në suksesin e zgjedhjeve në veri DnV: Rrethanat aktuale nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veriMë 23 prill, pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.
Zgjedhjet do të mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës do të votojnë në 19 qendra të votimit. Prej tyre, 13 do të jenë alternative apo në kontejnerë.
Më herët, në këto komuna qytetarët kishin votuar në 44 qendra votimi, që ishin të vendosura në shkolla. Por, zgjedhjet e 23 prillit, votimi në shkolla është bërë i pamundur për shkak se ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.