Kurti: Serbia po thotë që nuk do ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë duhet të zbatohet sa më shpejt, por Beogradi, sipas tij, nuk ka gatishmëri për ta zbatuar atë.

Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në Bruksel në fund të shkurtit dhe më pas në mars u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.

“Marrëveshja e 27 shkurtit, që është propozim i BE-së me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, dhe më pas aneksi implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit i 18 marsit, duhet të zbatohen në plotni dhe sa më parë. Pra, teksti është i qartë, ai do zbatim. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë që do të bëjë zbatim të pjesshëm, që është një mënyrë tjetër për të thënë që nuk do të bëjë zbatim”, tha Kurti për gazetarët në Prishtinë më 25 prill.

SHIKONI EDHE: Serbia vazhdon “avazin e vjetër të shkeljes së marrëveshjeve”

Ky reagim i Kurtit vjen një ditë pasi Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, në nenin katër thuhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE:

Çka përfiton Kosova nga Këshilli i Evropës?Kosova një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Bashkimi Evropian ka refuzuar që të komentojë nëse vota kundër e Serbisë në takimin e Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës përbën shkelje të Marrëveshjes së Ohrit.

SHIKONI EDHE: Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 25 prill falënderoi shtetet që votuan kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai madje tha se Serbia do të aplikojë reciprocitet për shkak të Kosovës.

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, tha Vuçiq gjatë një konference për media në Beograd.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia do të aplikojë reciprocitet për shkak të Kosovës

Këto zhvillime vijnë një javë para se Kurti dhe Vuçiq të takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Në agjendën e takimit të 2 majit pritet të jetë edhe draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Para mediave në Prishtinë, Kurti tha se gjatë takimit të Ohrit ka shprehur gatishmërinë që ta shkruajë vetë draft-statutin për Asociacionin, por i është thënë që këtë fillimisht duhet ta bëjë ekipi menaxhues.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se marrëveshja e vitit 2015 mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe duhet të harmonizohet përmes akteve ligjore.

Qeveria e Kurtit ka refuzuar formimin e asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.