Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka shkruar nga një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo përmes së cilave ai i ka njoftuar ata në lidhje me pozicionin e Qeverisë së re të Kosovës në raport me dialogun ndaj Serbisë dhe tarifës doganore.
“Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve”, thuhet në letrën që Kurti i ka drejtuar presidentit Trump.
Më pas, Kurti i ka shkruar presidentit Trump edhe në lidhje me tarifën 100 për qind të vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë të cilën SHBA-ja ka kohë që kërkon të shfuqizohet, në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë”, thuhet në letrën e Kurtit.
“Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jotarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohjet e Kosovës. Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, theksohet në letrën e Kurtit.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja me qëndrime të ndryshme rreth masave të KurtitPërmes letrës, Kurti shpreh gatishmërinë, që në emër të qeverisë së re të marrë sipër procesin e dialogut, duke u zotuar edhe për një koordinim më të mirë të palës kosovare.
“Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për ta çuar përpara këtë proces”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, në letrën drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, kryeministri Kurti shkruan se qeveria nën drejtimin e tij është e vendosur në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Përveç kësaj, prioritetet kryesore të qeverisë sime do të jenë rritja ekonomike, zgjerimi i investimeve, dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Këto dy procese janë të ndërlidhura dhe ne e mirëpresim ndihmën tuaj të vazhdueshme në përpjekjet tona për implementim të qeverisjes së mirë, sundim të ligjit dhe krijimin e mundësive për popullin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
*Video: Çfarë u tha pas vendimit të Kurtit për taksën?
Your browser doesn’t support HTML5
Po ashtu, ai e ka njoftuar edhe sekretarin Pompeo me hapat që ai dhe Qeveria e Kosovës synojnë të ndërmarrin deri në heqjen e plotë të tarifës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Masat hap pas hapi që i ka paralajmëruar kryeministri Kurti në lidhje me shfuqizimin e tarifës, janë kundërshtuar nga i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell. Ai ka kërkuar që Qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Taksa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.
Kjo taksë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.
SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të heqin taksën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut.