Kurti paralajmëron bisedime për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 15 mars, se është në kontakt me ambasadat e Kuintit dhe të Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbt e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.

Vendet e Kuintit janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania.

Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

“Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetushmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit – e 15 janarit – neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Vendet e Kuintit dhe BE e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

SHIKONI EDHE: Kuvendi miraton rezolutën kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Më 14 mars, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë obligimet që ka marrë nga rezoluta e 15 janarit.

SHIKONI EDHE: Kushtetuta nuk i lejon zgjedhjet e Serbisë

Në vizitën në Kosovë gjatë javës së kaluar, ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra që të mbahen zgjedhjet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe në komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas praktikës së mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka grumbulluar votat. Kjo praktikë është krijuar më 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

OSBE-ja ka grumbulluar votat pas mbylljes së qendrave të votimit. Më pas ato janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e reja, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.