Kurti: Në Bruksel do të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rundin e ri të dialogut, që do të mbahet në Bruksel më 26 qershor, do të diskutohet për gjendjen e këtij procesi dhe në rrugën përpara.

Gjatë një prononcimi për media, pas konferencës ndërkombëtare të rinisë për Vetëvendosje “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy”, që u mbajt në Prishtinë, Kurti tha se nuk ka pasur një takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit të kaluar.

“Besoj që përveç tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi trevjeçar. Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, tha Kurti.

SHIKONI EDHE:

BE-ja konfirmon takimin Kurti-VuçiqKurti dhe Vuçiq do të takohen më 26 qershor

Takimi mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është konfirmuar edhe nga vetë blloku.

Një ditë më parë, nga Brukseli thanë se në takimet – dypalëshe dhe trepalëshe – do të vlerësohen arritjet në dialog dhe takimet "do të fokusohen në rrugën përpara”.

Javën e kaluar, nga Qeveria e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se ky takim në Bruksel pritet të ketë fokus kryesor zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj "dhe rruga përpara".

Duke folur për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e zbatimit të saj, Kurti tha për gazetarët se kjo marrëveshje e bënë të mundur normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë “me njohjen de facto në qendër”.

“Kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim të marrëveshjes, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish-kryeminsitres [të Serbisë, Ana] Bërnabiq nga 13 dhjetori i vitit të kaluar, ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja. Prej aty na vijnë të gjitha problemet. Nga mosrespektimi e shkelje na vijnë problemet në raport me Serbinë”, tha Kurti.

SHIKONI EDHE: Pas nëntë muajsh tensione, Kurti e Vuçiq përballë njëri-tjetrit

Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit – e cila u arrit vitin e kaluar – nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja thotë se ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Kosova kërkon që të nënshkruhet marrëveshja, por Serbia refuzon një gjë të tillë.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja – e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – ka kritikuar palët për moszbatimin e marrëveshjes.