Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ndalë, siç tha ai, politikat destruktive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.
Një reagim i tillë i Kurtit erdhi pasi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se edhe Siera Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-ja dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në një postim në në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti, tha se “vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës, Qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës”.
Daçiq: Kosovën tashmë nuk e njohin shumica e anëtarëve të OKB-së
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Siera Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet të pavarur.
"Me kënaqësi të veçantë mund të tregoj notën nga Ministria e Jashtme, në të cilën thuhet se Siera Leone e tërheq njohjen e Kosovës", tha Daçiq gjatë një vizite në këtë vend të Afrikës.
Sipas Daçiqit, kjo do të thotë se Kosova nuk e ka shumicën në Kombet e Bashkuara.
Sipas tij, nga 193 vende të OKB-së, 92 vende e njohin pavarësinë e Kosovës, 96 vende nuk e njohin, ndërsa pesë vende kanë qëndrim fluid, që do të thotë se e njohin Kosovën, por nuk votojnë më për të.
SHIKONI EDHE: Vendnumërimi diplomatik i Kosovës për ç’njohjetShërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka siguruar një dokument, ku thuhet se Qeveria e Siera Leone ka tërhequr njohjen e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, në këtë dokument nuk ka ndonjë nënshkrim.
"Qeveria e Siera Leones e ka konsideruar qëndrimin që çfarëdo njohje që ka ndodhur në lidhje me pavarësinë e Kosovës ishte e parakohshme, duke pasur parasysh dialogun në vazhdim. Qeveria e Siera Leone ka vendosur të tërheqë çdo njohje të tillë të pavarësisë së Kosovës ndërsa pret një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët", thuhet në dokument.
Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se kush është nënshkruesi i dokumentit, Ministria e Jashtme e Serbisë tha se bëhet fjalë për një “notë e cila nuk nënshkruhet”.
Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për t'i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, që ta tërheqin një vendim të tillë.
Si kundërpërgjigje, Kosova, në vitin 2018, u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia.
Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja vendeve që t'i ndalojnë këto praktika dhe t'i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Konjufca: Nuk kemi informata se Siera Leone e ka tërhequr njohjen
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, tha se ende nuk ka informacione zyrtare, lidhur me pretendimet e Serbisë se Siera Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
"Ne nuk kemi asnjë informacion sa i përket kësaj që ka pretenduar (ministri i Jashtëm serb, Ivica) Daçiq. Kjo për ne është e njohur, së paku si fushatë të cilën Serbia nuk e ka ndaluar asnjëherë kundër pavarësisë së shtetësisë së Kosovës”, tha Konjufca për mediat në Prishtinë.
Ministri Konjufca tha se janë rreth 15 shtete, që kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Sipas informatave, janë diku 12 deri në 15 shtete, që deri tani, i kanë problematizuar raportet diplomatike me Republikën e Kosovës. Sa i përket rastit konkret, asgjë nuk është e sigurt dhe këto janë pretendime të Daçiqit, ne nuk kemi kurrfarë informacioni shtesë në këtë drejtim”, tha Konjufca.
Qeveria e Kosovës e ka kushtëzuar heqjen e plotë të tarifës ndaj mallrave serbe, me ndaljen e lobimit nga ana e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja me qëndrime të ndryshme rreth masave të KurtitKryeministri, Albin Kurti, më 27 shkurt, ka thënë se nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.
Vendosja e tarifës, në fund të vitit 2018, ka shkaktuar ndërprerjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.