Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti do të blejë objekte të ambasadave në pesë shtete të ndryshme të botës.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se ka nisur procesi i blerjes së objekteve të ambasadave të Kosovës në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada.
“Dje përuruam objektin e ri të Konsullatës tonë në Strasburg, që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikë sonë”, tha Kurti.
“Pra, po vazhdojmë me blerjen e objekteve të ambasadave tona në shtetet kyçe për shërbimin tonë diplomatik, shtoi ai.
Deri më tani, përveç objektit të Konsullatës në Strasburg të Francës, Kosova ka blerë edhe objektet e ambasadave në Shtetet e Bashkuara, Mbretëri të Bashkuar, Kroaci dhe Senegal.
Kosova ka gjithsej 42 misione diplomatike në mbarë botën, përfshirë ambasada dhe konsullata. Këtu po ashtu përfshihet edhe Zyra Ndërlidhëse në Serbi dhe Zyra për Interesa Ekonomike në Greqi.
Sipas ueb-faqes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pavarësinë e Kosovës e njohin më shumë se 110 shtete, ndër të cilat shumica nga Bashkimi Evropian si dhe SHBA-ja.