Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që javën e ardhshme, nga 28 deri më 30 prill të realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se mori drejtimin e ekzekutivit. Kështu kanë konfirmuar burimet e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke thënë se janë duke bërë përgatitjet finale për agjendën e takimeve që Kurti do të ketë me përfaqësuesit e lartë të bllokut evropian. Të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizita e Kurtit në Bruksel është konfirmuar të mërkurën edhe nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se Kurti do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, por që nuk do të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.
Vuçiq pritet që më 26 dhe 27 prill t’i zhvillojë takimet në Bruksel.
Që të dy do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Sipas burimeve në Bruksel, Kurti të ketë takim me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyn, Përfaqësuesin e lartë Josep Borrell si dhe Komisionerin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Verhelyi.
SHIKONI EDHE: Biden letër Osmanit: Normalizimi i raporteve me Serbinë kërkon kompromise të vështiraDialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave, pritet të jenë tema kryesore të këtyre takimeve.
Gjithsesi edhe bisedimet me kryeministrin Kurti edhe ato me presidentin Vuçiq, pritet të shfrytëzohen për të përgatitur terrenin për një takim të tyre për të shënuar vazhdimin e dialogut në nivelin e lartë. Takime të tilla nuk ka pasur qysh nga muaj shtator, kur në Bruksel ishin takuar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Rinisja e dialogut me kushteSipas burimeve diplomatike në Bruksel, BE-ja do të dëshironte që takimi i parë Kurti-Vuçiq të realizohet sa më shpejt, por realisht një takim i tillë pritet të ndodhë diku në muajin maj.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një letër dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani më 19 prill ka thënë se SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përqëndrohej në njohjen reciproke. Sipas tij, kjo kërkon fleksibilitet dhe kompromise të vështira.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me kërkesën e presidentit Biden.
SHIKONI EDHE: Qeveria dëshiron të shmangë kompromiset në dialogun me SerbinëMimoza Kusari-Lila, shefe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, parti kjo e cila është në pushtet, tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të ketë një rifillim me parime të vendosura dhe sipas saj, për këtë proces duhet të ketë një unitet brenda spektrit politik të Kosovës.
Nga Qeveria e Kosovës më herët kanë thënë se janë katër parimet që Kurti ka vendosur për dialogun: Të pranohet realiteti se Kosova është e pavarur; Serbia të pranojë të vërtetën për krimet që ka kryer; Kosova dhe Serbia të jenë palë të barabarta në dialog dhe parimi i katërt, që nga dialogu dhe marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.