I akuzuari për tentim vrasje të Trumpit deklarohet i pafajshëm

Një foto nga Sheshi i Pavarësisë në Kiev në vitin 2022, ku Ryan Wesley Routh kishte ndihmuar në ngritjen e flamujve kombëtarë të vendeve që po ndihmojnë Ukrainën.

Një burrë që, sipas autoriteteve, kaloi 12 orë jashtë fushës së golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, përpara se Shërbimi Sekret ta pikaste, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave federale, që përfshijnë akuzën për tentim vrasje.

I akuzuari Ryan Wesley Routh u paraqit në gjykatën federale në West Palm Beach disa ditë pasi u paraqit aktakuza me pesë pika, që lidhej me përpjekjen e dytë për të vrarë Trumpin që nga korriku.

Routh hyri në sallën e gjyqit i prangosur dhe i përshëndeti gazetarët e mbledhur për ta ndjekur procesin. Avokatët e tij refuzuan të komentojnë pas seancës.

Përpjekja e pretenduar për vrasje u pengua kur një anëtar i Shërbimit Sekret vuri re tytën e pushkës e Routh që dilte përtej gardhit të fushës së golfit, ku po luante Trump, sipas autoriteteve. Një agjent qëlloi në drejtim të Routhit, i cili u largua me shpejtësi dhe pastaj u arrestua pranë vendit të ngjarjes.

Zyrtarët kanë thënë se Routh nuk qëlloi asnjë plumb dhe nuk e kishte Trump në rrezen e shikimit të tij. Ai la pas një kamerë digjitale, një çantë shpine, një pushkë dhe një qese plastike me ushqime.

SHIKONI EDHE: Kush është burri që dyshohet se u përpoq të vriste Trumpin?

Prokurorët kanë thënë se Routh kishte shkruar për planet e tij për ta vrarë Trumpin në një shënim të shkruar me dorë disa muaj para arrestimit të tij më 15 shtator, ku e përshkruante veprimin e tij si një “përpjekje të dështuar për vrasjen e Donald Trump” dhe ofronte 150.000 dollarë për këdo që mund ta “mbaronte punën”.

Ky shënim ishte në një kuti që Routh raportohet se e kishte dorëzuar në shtëpinë e një dëshmitari të paidentifikuar disa muaj para arrestimit të tij.

Seanca e ardhshme në këtë rast do të mbikëqyren nga gjyqtarja federale Aileen Cannon, e cila u emërua në këtë post nga Trump dhe gjithashtu është caktuar të merrej me çështjen penale ku ish-presidenti akuzohet për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago.

Cannon ka tërhequr vëmendje për mënyrën e saj të trajtimit të çështjes penale të Trumpit, të cilën e hodhi poshtë në korrik, vendim që tani po apelohet nga ekipi i këshilltarit special Jack Smith.

SHIKONI EDHE: Gjykata në Florida hedh poshtë rastin kundër Trumpit për dokumentet e klasifikuara

Arrestimi i Routhit ndodhi dy muaj pasi Trump u qëllua dhe u plagos në vesh gjatë një përpjekje për vrasje në një tubim fushate në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka pranuar se ka pasur mangësi në sigurinë para atij sulmi, por ka thënë se masat e sigurisë funksionuan siç duhet për të parandaluar një sulm të mundshëm në Florida.

Fillimisht, Routh u akuzua vetëm për vepra penale që lidheshin me armët, përpara se prokurorët të ngrinin akuza të tjera më serioze. Prokurorët shpesh ngrenë fillimisht akuzat më të lehta për t’u provuar dhe më pas shtojnë akuza më të rënda gjatë zhvillimit të hetimit.

Akuzat e tjera përfshijnë posedimin e paligjshëm të armës, pavarësisht se ai kishte disa dënime penale, duke përfshirë dy akuza për posedim të mallrave të vjedhura në vitin 2002 në Karolinën e Veriut. Ai gjithashtu akuzohet për posedimin e një arme me numrin serik të fshirë, në kundërshtim me ligjin federal.