Torturë, zhvatje: Akuzat e grave afgane për talibanët lidhur me kodin e veshjes

Një militant taliban i bën roje një gruaje në Kabul. Dhjetor 2022.

Policia famëkeqe fetare e talibanëve ka ndaluar dhjetëra gra dhe vajza në javët e fundit, nën dyshimet se kanë shkelur kodin e veshjes së prezantuar prej grupit ekstremist.

Në mesin e tyre është motra e vogël e Zahras, e cila është ndaluar në kryeqytetin afgan, Kabul, në fillim të muajit janar, pasi nuk është mbuluar kokë e këmbë kur është parë në ambiente publike.

“Motra ime është poshtëruar dhe torturuar sa ka qenë në mbajtje të talibanëve”, ka thënë Zahra, emri i së cilës është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin.

“Ata i kanë thënë se ajo është e pafe për shkak se ka veshur rroba të ngushta”, ka thënë Zahra për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se familja e saj është detyruar t’i paguajë talibanët gati 12.000 dollarë si ryshfet për të liruar vajzën.

Shtypja e grave nga ana e talibanëve, me arsyetimin se po shkelin kodin e veshjes, është ndër goditjet kyçe ndaj tyre në periudhën e fundit.

SHIKONI EDHE: Perëndimi larg normalizimit të marrëdhënieve me talibanët

Prej marrjes së pushtetit, më 2021, talibanët ua kanë pamundësuar grave punën, studimet, dhe kanë vendosur kufizime të ashpra në të drejtën e tyre të lëvizjes.

Në maj të vitit 2022, talibanët i kanë urdhëruar të gjitha grave që të veshin burka, apo ndonjë rrobë islamike që mbulon flokët, trupin dhe një pjesë të fytyrës në publik.

Disa veshje të tilla janë të zakonshme për gratë në shtetet e Gjirit Arab.

Gratë afgane, sidomos ato në zonat urbane, e konsiderojnë burkën apo nikabin si të huaj për kulturën afgane. Para ardhjes së talibanëve në pushtet, shumë gra kanë vendosur shami të vogla koke, që ua kanë mbuluar vetëm një pjesë të flokëve.

Zbatimi i këtij kodi të veshjes ka qenë sporadik në Afganistan. Mirëpo aktivistët kanë thënë se së fundi fushata për zbatim është intensifikuar.

SHIKONI EDHE: Shkollat sekrete si “rreze shprese” për vajzat afgane

“Në agoni”

Masuda Kohistani, aktiviste për gratë në Kabul, ka thënë se talibanët i kanë shënjestruar edhe gratë dhe vajzat që e vendosin hixhabin, rrobë që mbulon flokët dhe qafën, por e lë fytyrën të hapur.

Kohistani ka thënë se ka qenë dëshmitare kur policia fetare e talibanëve, e ka ndaluar një 20-vjeçare në paralagjen Kairkana në veri të Kabulit, e cila ka qenë me hixhab.

“Shitësit e dyqaneve kanë tentuar të argumentojnë me talibanët duke iu treguar se ajo e ka pasur hixhabin, mirëpo militantët e kanë rrahur”, ka thënë Kohistani për Radion Azadi.

“Familja e saj është në agoni. Ata nuk e dinë çfarë të bëjnë pasi nuk po e gjejnë vajzën”.

Një grua e mbuluar me nikab hyn në një sallon bukurie, ku reklamave u janë fshehur fytyrat e grave. Kabul, tetor 2021

Policia fetare e talibanëve mbikëqyret prej Ministrisë për Promovim të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, e cila është përgjegjëse për zbatim të ligjeve të talibanëve që lidhen me moralin, përfshirë kodin strikt të veshjes dhe ndarjet gjinore në shoqëri.

Një grua e re, e cila ka kërkuar anonimitet nga frika e ndëshkimit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se më 3 janar, talibanët i kanë ndaluar disa gra në Dasht-e Barçi, lagje në Kabul, ku banojnë shumë pjesëtarë të minoritetit shiit Hazara.

Ajo ka thënë se i është shmangur arrestimit, pasi një burrë i moshuar i ka thënë që të fshihet.

“Ai më ka thënë që të vrapoj në shtëpi, sepse talibanët sapo i kanë arrestuar disa gra në lagje”, ka thënë ajo.

Mina Rafiq, aktiviste për të drejta të grave në Kabul, ka thënë se shtypja e grave nga ana e talibanëve ka nisur në Kabul, mirëpo është zgjeruar në disa pjesë të vendit, përfshirë provincën qendrore Daikundi, provincën perëndimore Herat dhe provincat veriore Balkh, Kunduz dhe Takar.

“Tani, as nuk na lejohet të vendosim se çfarë rroba të veshim”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Si do të na lejojnë që të edukohemi apo që të flasin lirshëm?”

Është ende e paqartë sa gra janë ndaluar në javët e fundit.

SHIKONI EDHE: Mjeke? Inxhiniere? Ndërsa ëndrrat zbehen, vajzat afgane u kthehen medreseve

‘Poshtëruese dhe e rrezikshme’

Kombet e Bashkuara dhe vëzhguesit globalë për të drejta të njeriut i kanë dënuar veprimet e fundit të talibanëve kundrejt grave.

“Shtypja që po u bëjnë talibanët grave për kodin e veshjes dhe arrestimet arbitrare janë një tjetër shkelje për lirinë e lëvizjes dhe shprehjes për gratë në Afganistan”, ka thënë Amnesty International, më 14 janar.

“Shtypja duhet të ndalet menjëherë, dhe ato që janë ndaluar duhet të lirohen".

Një grua e mbuluar tërësisht në një dyqan në provincën Badakstan të Afganistanit.

Misioni i Kombeve të Bashkuara për Ndihmë në Afganistan (UNAMA) ka thënë më 11 janar se është duke analizuar pretendimet për keqtrajtime të grave dhe zhvatje, në këmbim të lirimit.

“Masat e tilla që përfshijnë dhunën fizike, janë sidomos poshtëruese dhe të rrezikshme për gratë dhe vajzat afgane”, ka thënë Roza Otunbayeva, e dërguar e posaçme e OKB-së dhe shefe e misionit.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talibanëve, i ka hedhur poshtë këto shqetësime të OKB-së.

“Gratë afgane e vendosin vetë hixhabin”, ka thënë ai në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

“As nuk janë detyruar dhe as nuk i ka keqtrajtuar Ministria për Virtyt”.

SHIKONI EDHE: Talibanët u kërkojnë grave të mbulohen - qoftë edhe me batanije

Aktivistët afganë kanë thënë se masat e fundit janë një tjetër goditje për gratë, të cilat pothuajse janë zhdukur prej jetës publike.

“Situata për gratë në Afganistan po bëhet çdo ditë e më e keqe”, ka thënë Ruqiya Saee, aktiviste për të drejta të grave në Kabul.

Përgatiti: Krenare Cubolli