Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tetë të pandehurve nën dyshimet për kryerje të veprave penale, “falsifikim i dokumenteve” dhe “shpëlarje të parave”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të bërë publik më 13 dhjetor, aktakuza është ngritur ndaj personave fizikë, me inicialet; E.M, K.A, E.LL, K.LL dhe I.L, si dhe subjekteve juridike: “M…”, “AHK” dhe “QKK”.
Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore më shumë hollësi për aktakuzën, si dhe qasje në të, por nuk ka marrë përgjigje.
Mediat lokale në Kosovë, përfshirë mediumin e specializuar për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, Betimi për Drejtësi - që ka thënë se ka siguruar aktakuzën – kanë raportuar se aktakuza është ngritur kundër Ekrem Llukës, në cilësinë e pronarit të Qendrës Kardiake të Kosovës, ndaj Korab Llukës, Klodian Allajbeut, si pronar i Spitalit Amerikan në Kosovë, ndaj Igli Larashit, dhe pronares së Medbrad KS, Edlira Malaj.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Qendrës Kardiake të Kosovës, Spitalit Amerikan dhe Medbrand KS, si subjekte juridike.
Sipas raportimeve të Betimit për Drejtësi bëhet fjalë për shitblerje në vlerë të miliona eurove në emër të kompanive që nuk kanë qenë të regjistruara.
Ekrem Lluka dhe Klodian Allajbeu janë edhe pronarë të disa mediave në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Ekrem Llukën si dhe Spitalin Amerikan në Kosovë, por nuk kanë qenë të qasshëm për koment.
Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, Medbrand KS, është kompani në pronësi të Alaudin dhe Rigers Malajt.
Radio Evropa e Lirë e ka pasur të pamundur t’i kontaktojë të dy deri në publikimin e këtij materali.
Grupi Dukagjini ka deklaruar pafajësi të plotë për njërën prej kompanive të veta, si referencë për Qendrën Kardiake të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Grupi Dukagjini ka thënë se aktakuzën nuk e ka pranuar ende.
“Aty [në gjykatë] do të dëshmojmë jo vetëm pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, por edhe persekutimin personal dhe të kundërligjshëm të cilit i janë nënshtruar gjatë tre viteve të hetimit të kësaj çështjeje”.
Edhe Spitali Amerikan në Kosovë ka thënë se nuk e ka pranuar zyrtarisht aktakuzën dhe e ka kritikuar Prokurorinë, për bërjen e njoftimit publik për aktakuzën “para përmbushjes së detyrimit të saj për t’ia dorëzuar aktakuzën Spitalit Amerikan apo avokatit të tij”.
“Akuzat e bëra nga Prokuroria dhe që janë bërë publike janë absurde. Spitali Amerikan rezervon të drejtën që të mbajë përgjegjëse autoritetet shtetërore të Kosovës dhe zyrtarët e saj për dëmtimin e reputacionit të tij”, është thënë në reagimin e spitalit përmes një postimi në Facebook.
Spitali Amerikan në Kosovë kishte nisur të ndërtohej më 2007 në Kosovë, pak metra larg Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me leje të Kuvendit Komunal të Kosovës, por në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së atëhershme, me të cilën ndalohej veprimtaria e institucioneve shëndetësore private në afërsi prej një kilometri e gjysmë afër atyre publike.
Më vonë është ndryshuar një nen i udhëzimit administrativ që përcaktonte distancën, dhe kështu ishte mundësuar finalizimi i punimeve.
Ky institucion ka leje për punë deri më 2025.