Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me iniciale D.R nën dyshimet se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kjo është aktakuza e parë e këtij lloji në mungesë pasi “janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë.
Ai sipas aktakuzës ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare, e cila pësoi “lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”.
SHIKONI EDHE: “Edhe dielli më pengonte”: Rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në KosovëNumri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.
Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.
Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për "ta njohur dhimbjen" e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t'i kontribuar kujtesës kolektive.
SHIKONI EDHE: Shpresë dhe skepticizëm për gjykimet në mungesë për krimet e luftës