Aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve në Mamushë, dëmi mbi 120 mijë euro

Fotografi ilustrim.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës ndaj S.M., F.T., E.M., F.M., dhe V.Sh, ngjarja lidhet me vlerësimin e dëmeve nga vërshimet në Komunën e Mamushës më 29 janar 2021.

Të pandehurit, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e dëmeve, përpiluan një listë me 169 përfitues të ndihmës financiare publike prej 416,874.77 euro. Nga kjo shumë, mbi 120,000 euro u përfituan në mënyrë të paligjshme nga persona të përfshirë në kundërshtim me ligjin ose që nuk ishin fare fermerë.

Kryetari i komisionit, S.M., dhe anëtarët e tij akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke përfshirë 43 fermerë në listën e përfituesve në kundërshtim me vendimet dhe opinionet ligjore, si dhe duke futur 13 persona të tjerë që nuk ishin të kualifikuar.

Këto veprime i shkaktuan buxhetit të Kosovës dëm material të konsiderueshëm.

“Me këto veprime, të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit “të shpallen fajtorë dhe të dënohen” në përputhje me ligjin.

Në muajin shtator, Radio Evropa e Lirë, publikoi një hulumtim që zbardhte një skemë të përfshirjes së zyrtarëve komunal të Mamushës në falsifikimin e dokumenteve të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Shtetësi me shumicë: Aktakuza zbulon skemën e falsifikimit të dokumenteve të Kosovës

Mamusha është një ndër komunat më të vogla të Kosovës, me rreth 5.600 banorë, në shumicë të komunitetit turk.

Mamusha udhëhiqet nga Abdylhadil Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).