Aktakuzë kundër një të dyshuari për masakrën në burgun e Dubravës

Pallati i Drejtësisë i Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria Speciale (PS) e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri të nacionalitet serb nën dyshimin se ai kishte marrë pjesë "në vrasjen e mbi 100 shqiptarëve në burgun e Dubravës në vitin 1999."

I dyshuari me inicialet G.M, i cili ka dyshtetësi, kosovare dhe serbe, por me adresë vendbanimi më Serbi, sipas Prokurorisë, ngarkohet me veprën penale ‘’krimi i luftës kundër popullsisë civile’’.

Prokuroria tha se i dyshuar ndodhet në paraburgim “deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.”

Ai akuzohet se “më 22 maj 1999 mori pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë (109) të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë (108) të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si ‘Masakra e Dubravës’”.

Lexoni edhe këtë: Policia e Kosovës arreston një serb të dyshuar për krime lufte


Prokuroria tha se ka gjetur prova të mjaftueshme juridike “që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar” në kryerjen veprës penale për të cilën akuzohet.

Hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar në mungesë, pasi që të njëjtit janë të pa arritshëm për organet e rendit, thuhet në njoftim.

Para 24 vjetëve, brenda burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë, përkatësisht nga 19 deri më 24 maj 1999.

Masakra në Burgun e Dubravës është cilësuar edhe më herët nga përfaqësuesit politik në Kosovë si një nga krimet më monstruoze, për të cilin ende askush nuk është gjykuar.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.