Aktakuzë ndaj të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj

Erona Cokli

Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj një burri të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes në fillim të këtij viti në Ferizaj, qytet në pjesën juglindore të Kosovës.

Erona Cokli, 21-vjeçare, u vra më 12 prill në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ajo e kishte një djalë një vjeç e dy muaj.

Prokuroria e ngarkon ish-bashkëshortin e saj, të identifikuar me inicialet V.A, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale... i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën E.C, me të cilën kishte bashkëjetuar”, thuhet në njoftim.

Çifti ishte i shkurorëzuar për gati një vit dhe Erona Cokli e kishte obligim ligjor që ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj (QPS).

Lexoni edhe këtë: “Ma mori dritën e syve”: Rrëfimi i nënës së Eronës së vrarë nga ish-bashkëshorti

Në takimin që do të bëhej i fundit për ta, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.

“Fillimisht ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, i pandehuri e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për t’ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthente në orën 15:00, mirëpo i pandehuri pas dyzet minutave kthehet pa fëmijën në QPS, dhe rreth orës 14:40 vëren të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C. Pastaj, para tyre futet në zyrën e QPS-së... dhe pas një fjalosje të shkurtë shtie një herë në drejtim të të ndjerës, duke e qëlluar në kraharor, e pastaj edhe në drejtim të të dëmtuarit D.C, të cilin e qëllon në krahun e djathtë. Më pas, derisa e ndjera E.C., fillon të largohet, e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund në anën e majtë të kokë”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria e akuzon atë edhe për kanosje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Prokuroria i ka kërkuar gjykatës ta shpallë fajtor të dyshuarin.

Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.

Por, edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, rastet e vrasjes së grave “marrin dënime të ulëta, kthehen në rigjykim ose zvarriten”.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.

Nga viti 2010 deri në prill të këtij viti janë identifikuar në total 58 gra të vrara. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta