Nxirren nga Lepenci trupat e tre shtetasve të Kosovës

Ekipet e kërkim-shpëtimit duke nxjerrë makinën nga lumi Lepenc.

Njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim kanë nxjerrë nga lumi Lepenc tmakinën me tre trupat e pajetë të shtetasve të Kosovës, e cila të shtunën kishte rënë në lumë pas një aksidenti me një automjet tjetër.

Aksidenti ndodhi afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve, në Bllacë.

“Zyrtarët policorë të Njësisë Speciale Antiterroriste kanë gjetur të vdekur tre personat të cilët po kërkoheshin në lumë pas aksidentit të shtunën në rrugën Shkup- Bllacë. Është gjetur edhe automjeti BMW në të cilin ndodheshin personat, tashmë të vdekur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Vetura që ra në lumin Lepenc, pas një aksidenti në afërsi të Shkupit.

Në veturën me targa të Kosovës ishin katër persona dhe njëri prej tyre ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin ranë në lumin Lepenc.

Personi është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori” në Shkup dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur policia maqedonase.

Autoritetet maqedonase më herët gjatë 18 qershorit njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit, që u aksidentua me makinën me targa të Kosovës.

“Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volkswagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme”, thuhet njoftimin e MPB-së.

Në momentin e aksidentit, sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Në operacionin e nxjerrjes së makinës kanë marrë pjesë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.