Akil Gjakova ka ngelur pa medalje në Lojërat Olimpike Parisi 2024, pasi u mposht nga Soichi Hashimoto në një luftë për medaljen e bronztë të hënën pasdite.
Xhudisti kosovar synonte të bëhej burri i parë që fiton medalje olimpike në historinë e sportit kosovar.
Paraprakisht, xhudisti 28-vjeçar nga Peja lëshoi mundësinë për të siguruar së paku medalje të argjendtë dhe për të luftuar për titullin e kampionit olimpik në kategorinë deri në 73 kilogramë, pasi u mposht në gjysmëfinale nga numri një i botës, Hidayat Heydarov.
SHIKONI EDHE: Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në ParisGjakova i fitoi tri duelet e para, por dy disfata radhazi bënë që ai ta humbë mundësinë për t’u bërë kampion olimpik dhe pastaj për të luftuar për medaljen e bronztë.
Ai u mposhtë nga dy xhudistët e renditur numër një dhe dy në botë, përkatësisht, në kategorinë e tij.
Gjakova bëri paraqitje më të mira në këtë Olimpiadë krahasuar me debutimin e tij në Olimpiadën e kaluar në Tokio, duke u renditur në vendin e pestë, dy vende më lart, por pamjaftueshëm për të fituar medalje.
“Nuk u shpërbleva ashtu siç kam pritur, por tani kthehem në shtëpi dhe e vazhdoj punën. Shortin e pata shumë të vështirë, gjatë rrugës u takova me kampionë botërorë dhe evropianë, arrita të bëjë luftëra të mira. Asgjë nuk është befasuese”, tha Gjakova.
Më herët gjatë ditës, Nora Gjakova u eliminua qysh në rrethin e parë të garës, ndërsa Distria Krasniqi, ka fituar medalje të argjendtë një ditë më parë. Në ditët në vijimë do të garojnë edhe dy xhudistet e mbetura, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu.
Kosova e ka fituar vetëm një medalje deri tani në Parisi 2024, ku po përfaqësohet nga nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.
Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani, plot katër sosh.
Kjo është Olimpiada e tretë radhazi që Kosova synon të fitojë medalje të artë, pas debutimit historik të Majlinda Kelmendit në Rio 2016 në Brazil, kur u shpall kampione olimpike dhe medaljeve të arta të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në Tokio 2020.
Krasniqi, bashkë me Kelmendin dhe Nora Gjakovën, janë atletet e vetme, qoftë në sportin e grave apo burrave, që kanë fituar medalje të arta olimpike në historinë e sportit kosovar.
Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.
Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.