Maqedonia e Veriut edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të këtij viti do të përballet me ndotjen e ajrit, bazuar në mungesën e masave të institucioneve për përballje me të.
Shkupi dhe Tetova, viteve të fundit kanë qenë në krye të listave botërore sa i përket ndotjes së ajrit, respektivisht pranisë së grimcave PM-10 shumë herë më të larta mbi normat e lejuara.
Pavarësisht kësaj, nga buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Ambientit Jetësor janë ndarë 30.4 milionë euro, shumë kjo më e ulët se ajo e vitit të kaluar, ndërsa është zvogëluar edhe numri i të punësuarve në Inspektoratin e mjedisit.
Ndërkohë, Komuna e Shkupit për t’u përballur me ndotjen e ajrit ka ndarë 790.000 euro – vlerë kjo shumë më e vogël sesa në vitin 2022 kur ishin ndarë 1.4 milion euro.
SHIKONI EDHE: Ajri që të ngufatëDrejtuesit e institucioneve shumë herë kanë premtuar modernizimin e transportit publik, të sistemeve të ngrohjes të cilat ende përdorin mazutin si lëndë djegëse, masa të tjera si ndërprerja e punës së kapaciteteve industriale që paraqiten gjithashtu si ndotës të mëdhenj, por situata ka mbetur e njëjtë.
“Është iluzore të mendosh se problemin e ndotjes së ajrit mund ta zgjidhim për dy, tre apo katër vjet. Praktika tregon se kjo ndodh nga dhjetë deri në 20 vjet, sikur edhe në metropolet tjera botërore”, thotë ministrja e Ambientit Jetësor, Kaja Shukova.
Sipas saj, kryeqyteteve u duhen disa vite për t’u përballuar me këtë problem, për kalimin nga sistemet e ngrohjes joekologjike në sistemet e ngrohjes ekologjike, të cilat e ndotin më pak ajrin. Shukova nuk pajtohet se Shkupi është ndër qytetet më të ndotura në botë.
“Bëhet fjalë për disa ditë të caktuara të vitit, por periudhën e fundit numri i atyre ditëve është në rënie. Dhe, kjo do të thotë se kemi marrë masa të caktuara. Beteja me ndotjen duhet të jetë e përbashkët dhe shpresoj të jetë rritur sadopak ndërgjegjësimi i qytetarëve, që të mos përdorin materiale joekologjike për t'u ngrohur”, thekson Shukova.
- Largimi i mjegullës nuk e uli nivelin e lartë të ndotjes në Shkup
- Lufta kundër ndotjes së ajrit me qasje shpërfillëse
Por, organizatat ambientaliste kanë ngritur alarmin se mungesa e masave serioze do të përsërisë gjendjen e viteve të kaluara dhe ajo mund të përkeqësohet varësisht ndryshimeve klimatike.
“Kanë ndodhur ndryshime, por ato janë negative, d.m.th. është ulur buxheti i Ministrisë së Mjedisit në nivel shtetëror. Vitin e kaluar u nda diku 1.5 për qind nga buxheti, ndërsa këtë vit vetëm 0.7 për qind. Pra, kemi kthim prapa pavarësisht se tani dhjetë vjet alarmojmë për situatën e rëndë me ndotjen, se Maqedonia e Veriut është ndër vendet më të ndotura në Evropë. Javën e kaluar edhe gazeta britanike ‘The Guardian’ publikoi një studim sipas të cilit Maqedonia e Veriut mbetet pika e zezë e Evropës”, thotë Arianit Xhaferi, njohës i çështjeve të ambientit.
Nga shoqata ekologjike “Nisma O2” thonë se është e pakuptueshme se si institucionet, jo vetëm që nuk ndërmarrin masa, por edhe ulin fondet kur dihet fakti se qytetarët paguajnë dukshëm më shumë për taksat mjedisore.
“Nuk ka para për ekologjinë, ndërkohë më shumë se 3.000 qytetarë tanë vdesin çdo vit për shkak të ajrit të ndotur. Kjo është e papranueshme”, thonë nga shoqata “Nisma O2”.
Ambientalisti Arianit Xhaferi thotë se fakti se deri më tani nuk ka asnjë të dënuar për ndotjen e mjedisit, flet qartë, sipas tij, se institucionet sikur i kanë ngritur duart nga “lufta” me ndotjen.
“Kjo tregon mungesën totale të interesimit të autoriteteve për ta përmirësuar këtë gjendje. Zgjidhje ka, zgjidhjet ekzistojnë, por thjesht këtu askujt nuk i intereson as për mjedisin jetësor, e as për shëndetin e qytetarëve. Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon burgim prej 4 deri 10 vjet për ndotësit e mjedisit dhe ka zero vite burgim, zero ditë burgim për ndotje apo krimet që i shkaktohen mjedisit”, thotë ai.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Për ta zgjidhur në mënyrë efikase problemin e ndotjes, nevojitet një strategji serioze, si dhe burime njerëzore dhe financiare, thonë nga Qendra për Kërkim dhe Informim Mjedisor "Eco-Svest".
Kjo shoqatë, në bashkëpunim me ekspertë të tjerë, në vitin 2019 kishte hartuar një koncept për zhvillimin e një procesi strategjik për uljen e ndotjes së ajrit me një vlerë prej 300 milionë eurosh në vit.
Masat, veç tjerash, parashikonin subvencione prej 100 euro për vendosjen e filtrave për 25.000 amvisëri që ngrohen me dru dhe lëndë të tjera ndotëse, subvencione prej 300 eurosh për vendosjen e aparateve të gazit në 10.000 automjete, ndryshimin e mënyrës së ngrohjes në institucionet shëndetësore dhe arsimore në qytetet më të ndotura.
Por, këto masa të shoqatave ekologjike nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet shtetërore.