Ajri i ndotur përfshin Maqedoninë e Veriut

Ndotja e ajrit në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut është radhitur në krye të listës së vendeve me ajër të ndotur.

Në bazën globale të të dhënave, NUMBEO, e cila prezanton shkallën e ndotjes së ajrit në nivel botëror, qyteti i Tetovës listohet i dyti, pas qytetit Katmandu në Nepal.

Ajër i ndotur konsiderohet kur nivelet e grimcave PM2.5, të cilat mund të bllokojnë mushkëritë e njerëzve, janë shumë të larta.

Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse këto nivele janë midis zeros dhe 50, cilësia e ajrit konsiderohet “e mirë”.

Nëse janë midis 51 dhe 100, cilësia e ajrit është “e kënaqshme” dhe përmbi 100 është “e keqe”.

Të dhënat e stacioneve matëse të dikasterit të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut tregojnë se, përveç Tetovës, edhe disa qytete të tjera kanë qenë të mërkurën mbi nivelet e lejuara - në mesin e tyre: Strumica, Shkupi, Gostivari e Velesi.

Në ndotje thuhet se kontribuojnë një varg faktorësh, nga emetimet e automjeteve deri te pluhuri dhe moti.

Hamdi Sulejmani, këshilltar në Asamblenë Komunale të Tetovës, nga Lista e Pavarur e Ambientalistëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se inspektorati i angazhuar për detektimin e ndotësve, duhet të jetë më aktiv në ushtrimin e detyrës, veçanërisht gjatë stinës së dimrit, kur, sipas tij, përdoren lëndë të ndryshme për djegie.

Ngadhënjim Mehmeti, nga organizata joqeveritare “Eco Guerilla” në Tetovë, thotë se në ndotjen e ajrit ndikon edhe mënyra e ngrohjes së amvisërive, bizneseve dhe institucioneve.

“Ministria e Ambientit e Maqedonisë së Veriut, viteve të fundit, zbatoi një projekt me subvencionimin e invertorëve, si zëvendësim për ngrohjen me dru, me qëllim që të ulet sadopak ndotja. Mirëpo, në vende të varfra si Maqedonia e Veriut ngrohja me energji elektrike është luks”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

“Ajo që premtohet me vite nga qeveritë, por nuk realizohet, është rrjeti i gazifikimit. Nëse jo amvisëritë, por objektet publike, si shkollat, spitalet e bizneset e mëdha... po të fillonin ato ngrohjen me gaz, do ishte një hap i madh për uljen e ndotjes”, shton ai.

SHIKONI EDHE: Lufta kundër ndotjes së ajrit me qasje shpërfillëse

Në bazë të të dhënave të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ndotja e ajrit si “vrasës i padukshëm” në Evropë shkakton 307,000 vdekje të parakohshme në vit.

Nivelet e larta të ndotjes vijnë në kohën kur Maqedonia e Veriut, sikurse edhe vende të tjera në botë, po përballet me shifra të larta të të infektuarve me koronavirus.

Mjekët thonë se ndotja e ajrit është e pritshme të përkeqësojë gjendjen e personave me sëmundje kronike, veçanërisht të atyre që preken me koronavirus.

“Zvogëlimi i kualitetit të jetës, i cili vjen si rezultat i ndotjes së ajrit, në mënyrë indirekte rrit edhe shkallën e vdekshmërisë nga infeksioni me COVID-19”, thotë mjeku Zllate Mehmedoviq, duke iu referuar sëmundjes së rrugëve të frymëmarrjes, që e shkakton koronavirusi.

SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Ndotja e ajrit në nivele rekord; gjoba për ndotësit

Sipas Mehmedoviqit, i cili është i angazhuar në qendrën për trajtimin e pacientëve me koronavirus në Shkup, mbajtja e maskave edhe në ambiente të hapura do të zvogëlonte rrezikun nga ajri i ndotur.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar formimin e një “fondi të gjelbër”, në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh, për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike.

Por, shumë organizata joqeveritare, që në fokus kanë cilësinë e ajrit, thonë se vendimet për sa i përket uljes së nivelit të ndotjes së ajrit, autoritetet i marrin për qëllime populiste dhe si të tilla nuk japin rezultate afatgjate.