Llogaritë e rreme kanë rezultuar të jenë një problem i madh për kompaninë Airbnb, - e cila ofron banesa me qira për periudha të shkurtra - duke rrezikuar me ulje të numrit të konsumatorëve.
Kompania ka thënë se do të nisë përdorimin e inteligjencës artificiale për t’i luftuar mashtruesit.
Airbnb ka thënë se i ka larguar nga faqja 59 mijë llogari të rreme dhe ua ka pamundësuar 157 mijë llogarive tjera qasjen në këtë platformë.
Llogaritë e rreme dhe tarifat e larta të pastrimit kanë qenë dy prej problemeve më shpeshta që janë përmendur nëpër sondazhet e kompanisë.
Kjo kompani, me seli në San Francisko ka thënë se ka marrë ankesa se Airbnb nuk është më e përballueshme sikurse dikur.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Brian Chesky ka thënë se ndryshimet e reja kanë nisur të funksionojnë dhe se ekipi është duke planifikuar marrjen e masave tjera.
SHIKONI EDHE: Airbnb do të largohet nga KinaAi e ka përmendur integrimin e “çmimores dinamike sezonale – teknologji që u ndihmon qiradhënësve që t’i ndryshojnë çmimet më shpesh, ashtu siç bëjnë hotelet dhe kompanitë e fluturimeve.
Chesky ka thënë se diçka e tillë u ndihmon atyre t’i ulin çmimet jashtë sezonit, por edhe të kenë periudha kur çmimet prekin kulmin.
Airbnb ka thënë se më vonë gjatë vitit do të nisë me verifikim të të gjitha llogarive në vendet me shtrirjen më të madhe në platformë, për t’i luftuar keqbërësit.
Disa nga format më të shpeshta të mashtrimeve janë përmendur rimbursimet dhe kostot shtesë për rezervime.
“Rreziku më i madh është për imazhin tonë. Sepse nëse nuk keni besim kur bëni një rezervim në Airbnb, atëherë ju shkoni në hotel”.
Kompania ka thënë se planifikon që llogaritë në Shtetet e Bashkuara, Mbretëri të Bashkuar, Kanada, Francë dhe Australi të verifikohen dhe do ta kenë një ikonë krahas emrit, pasi t’i kalojnë disa testime, duke nisur nga shkurti i vitit të ardhshëm.
Testimi do të kryhet ashtu që pronarët do të duhet ta vërtetojnë adresën e tyre përmes formave teknologjike, dhe më pas inteligjenca artificiale do ta verifikojë nëse fotografitë e atij vendi janë të njëjta me ato që reklamohen në platformë.
Kompania planifikon që këtë proces të verifikimit më vonë ta zgjerojë në 30 shtete tjera.