AI: Kina po kryen krime kundër njerëzimit në Ksinjiang

Ksinjiang, Kinë

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International tha se Kina është duke kryer “krime kundër njerëzimit” në Ksinjinag - rajonin ku jetojnë ujgurët dhe pakicat tjera myslimane.

Në raportin e ri të publikuar, Amnesty kërkoi hetime nga Kombet e Bashkuara.

Grupi tha se ujgurët, kazakët dhe myslimanët tjerë në Kinë janë subjekt i arrestimeve masive, mbikëqyrjes dhe torturës.

“Kjo duhet të tronditë ndërgjegjen e njerëzimit, pasi një numër masiv i njerëzve i është nënshtruar shpëlarjes së trurit, torturës dhe trajtimeve të tjera degraduese në kampet e internimit, ndërsa miliona të tjerë jetojnë me frikë nga mbikëqyrja”, tha sekretarja e përgjithshme e organizatës Amnesty International, Agnes Callamard.

Ajo akuzoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për “dështim për të vepruar sipas mandatit të tij”.

Guterres “nuk e ka denoncuar situatën; ai nuk ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar”, tha Callamard.

Në raportin prej 160 faqesh, të bazuar në intervistat me 55 ish-të arrestuar, Amnesty tha se ka prova që shteti kinez ka kryer disa krime kundër njerëzimit: burgim ose privim tjetër të rëndë të lirisë fizike - duke shkelur rregullat themelore të ligjit ndërkombëtar - torturë dhe persekutim.

Raporti pason disa gjetje të ngjashme nga organizata tjetër për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, e cila ka thënë në një raport në muajin prill se beson se Qeveria kineze është përgjegjëse për krime kundër njerëzimit.

SHIKONI EDHE: HRW akuzon Kinën për krime kundër njerëzimit në Ksinjiang

Kina besohet se ka ndaluar më shumë se një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në rajonin Ksinjiang.

Shumica e tyre dërgohen në të ashtuquajturat kampe “riedukimi”, ku mbahen për kohë të pacaktuar dhe pa ndonjë akuzë.

Kina fillimisht e ka mohuar ekzistencën e kampeve, ndërsa ma vonë ka thënë se ato janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin.

Kina i ka hedhur poshtë akuzat për abuzime me të drejta të njeriut.