Partitë e Frontit Evropian, që udhëhiqen nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e miratuan të dielën në Tetovë, siç e quajtën ata, një deklaratë kundër “qeverisjes monoetnike” në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se shumica e re parlamentare mes partisë fituese të zgjedhjeve, VMRO DPMNE, dhe koalicionit VLEN, i cili përbëhet nga katër parti shqiptare, “nuk përfaqëson legjitimitetin” e shqiptarëve nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN pritet ta formojnë Qeverinë e re maqedonase në javët në vijim.
Në zgjedhjet e majit, Fronti Evropian - në përbërjen e të cilit janë edhe katër parti të entiteteve tjera – i fitoi 18 deputetë, katër më shumë se VLEN.
SHIKONI EDHE: Shkup: VMRO dhe VLEN pajtohen për “shtyllat kryesore” të Qeverisë së reAhmeti pretendon se në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut gara zhvillohet ndërmjet partive të dy grupeve më të mëdha etnike dhe se fituesit e zgjedhjeve te komuniteti maqedonas dhe ai shqiptar duhet t'i formojnë institucionet e reja.
”Konstatojmë patjetërsueshmërinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut... Partnerët e koalicionit qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitimë të komuniteteve të tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Kjo është e drejtë zakonore e zbatuar në vendin tonë, që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje”, ka tha Ahmeti duke e lexuar deklaratën e miratuar nga partitë e Frontit Evropian.
Por VLEN thotë se BDI-ja nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare, pasi pjesë e Frontit Evropian ishin edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut që fituan vota në emër të koalicionit në zgjedhjet parlamentare.
“Mosrespektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Ky majorizim monoetnik shkel mbi legjimitetin e komuniteteve të tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht”, ka thënë Ahmeti.
SHIKONI EDHE: Ahmeti: Do ta mbrojmë legjitimitetin e votës së shqiptarëveAi ka thënë se me mosrespektimin e “legjitimitetit të votës nënkupton kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta” andaj bëri thirrje që kjo të mos ndodhë pasi siç tha “të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për paqen, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë”.
Kryetari i BDI-së tha se deklarata e nënshkruar të dielën nga Fronti Evropian “do t’i dërgohet qendrave ndërkombëtare të vendosjes, Bruksel, Uashington, Londër, Paris, vendeve të rajonit, me qëllim të rritet vëmendja se në çfarë drejtimi po rrezikohet Marrëveshja e Ohrit e arritur me sakrificë dhe me gjak në Maqedoninë e Veriut”.
Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë të formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.
Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët ka qenë pjesë e Qeverisë, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në, që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017, kur Qeveria u formua nga LSDM-ja edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ajo arriti të formojë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe më pas formoi edhe Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski asokohe.
Pas kësaj, VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se rregulli “fituesi me fituesin” më nuk do të vlejë.