AGK raporton për disa sulme ndaj gazetarëve në veri

Zveçan, 30 maj 2023.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se gazetarët, që po përcjellin ngjarjet në veri, kanë qenë cak i disa sulmeve.

AGK tha se persona të maskuar kanë sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme në Leposaviq dhe njërit medium i është thyer kamera.

Po ashtu, në këtë komunë, gazetarët janë sulmuar edhe me gjësende të forta nga protestuesit serbë.

“Në një transmetim direkt të medieve, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetaret e RTV Dukagjinit, Kohës dhe mediave të tjera të raportonin drejtpërdrejt nga kjo komunë”, tha AGK.

Ky asociacion bëri të ditur se përveç sulmeve ndaj gazetarëve ka pasur sulme edhe ndaj makinave me të cilat udhëtojnë ekipet mediale në veri.

Ekipit të televizionit Kanal 10 i është dëmtuar vetura në Zveçan, ndërkaq vetura e ATV-së është vandalizuara, duke iu shpërthyer gomat.

AGK tha se sulmet ndaj gazetarëve, që po përcjellin protestat e serbëve në veri, po intensifikohen.

“Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR-i, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit”, u tha në njoftim.

Lexoni edhe këtë: AGK raporton se në Zubin Potok është djegur vetura e një ekipi medial

Edhe të hënën, ekipet mediale kanë qenë cak i tentim-sulmeve dhe makinat e tyre janë vandalizuar, teksa makina një kanali televiziv është djegur.

Serbët lokalë po protestojnë në veri të Kosovës për të dytën ditë me radhë, për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.