Presidentja Osmani ndan urdhrin “Hero i Kombit” për Afrim Bunjakun

Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator në përleshjet me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar në një mbledhje komemorative pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator në përleshjet me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, i ka ndarë rreshterit Afrim Bunjaku urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Rreshteri Afrim Bunjaku dhe pjesëtarët e Policisë dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuar nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtjen, integritetin territorial dhe sovranitetin dhe vunë në vend dinjitetin e Kosovës”, ka deklaruar presidentja Osmani.

I pranishëm në mbledhjen komemorative ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës nga një grup shumë i armatosur i mbështetur nga Serbia.

“Reagimi profesional i Policisë së Kosovës rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit dhe konfiskimin e shumë armatimeve”, ka theksuar Kurti.

Në mbledhjen komemorative, të pranishëm ishin edhe familjarët e rreshterit Afrim Bunjaku. Vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka thënë se "janë krenarë me punën dhe heroizmin e babait".

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001.

Të dielën më 24 shtator në një përleshje me një grup të armatosur të Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe disa të tjerë janë plagosur.

Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.

Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi fajësoi zyrtar serbët e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Sulmi në veri: Kosova bën përgjegjëse Serbinë, Serbia serbët e Kosovës