Afganistan: Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar pas tërmeteve që lanë mbi 2.000 të vdekur

Ekipet e shpëtimit duke kërkuar për viktima nën rrënojat e një shtëpie të shkatërruar nga tërmeti në Zenda, Herat, Afganistan, 8 tetor 2023.

Ekipet e shpëtimit i kanë vazhduar kërkimet të hënën për të nxjerrë të mbijetuar, si dhe të vdekur, nga rrënojat e tërmeteve vdekjeprurëse të së shtunës në qytetin veriperëndimor të Afganistanit, Herat.

Administrata talibane tha se së paku 2.400 njerëz kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar si pasojë e tërmeteve, të cilët ishin në mesin e dridhjeve më vdekjeprurëse këtë vit, pas tërmeteve në Turqi dhe Siri, në të cilat u vranë rreth 50.000 njerëz.

Shtetet fqinje Pakistani dhe Irani kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë ekipe të shpëtimit dhe ndihma humanitare në Afganistan.

“Operacioni është duke vazhduar ende, ka njerëz që po nxirren nga rrënojat”, tha zëdhënësi i guvernatorit të Heratit, Nissar Ahmad Elyias, për Retuers, duke shtuar se më shumë se dhjetëra fshatra rreth Heratit janë prekur nga tërmetet.

Fëmijët afganë duke pushuar nën batanije pranë shtëpive të rrënuara nga tërmeti në fshatin Zendeh, në Afganistan, 7 tetor 2023.

Shumë ndërtesa në qytetin Herat shpëtuan pothuajse pa u dëmtuar, por minaret e xhamive të tij të famshme mesjetare pësuan dëme, sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.

“Shumë prej anëtarëve të familjeve tona kanë rënë martirë, përfshirë njëri nga bijtë e mi, ndërsa djali im tjetër është lënduar”, tha për Reuters Mir Ahmed, një banor i Heratit.

“Shumica e njerëzve janë ende nën rrënoja”, tha ai.

I rrethuar nga bjeshkët, Afganistani ka histori të tërmeteve të fuqishme, shumica e të cilave ndodhin në rajonin Kush në kufi me Pakistanin.

SHIKONI EDHE: Mijëra persona besohet se kanë vdekur nga tërmeti në Afganistan

Numri i të vdekurve shpesh rritet kur lajmet vijnë nga pjesët e largëta të vendit, ku lufta dekadëshe e ka kthyer infrastrukturën në rrënoja, gjë që e bën shumë të vështirë organizimin e operacioneve të shpëtimit.

Zyra humanitare e OKB-së tha të dielën se numri i të vdekurve nga këto tërmete ka arritur në 1.023, ndërsa 1.663 njerëz janë lënduar, si dhe 500 të tjerë janë zhdukur.

Të gjitha shtëpitë në rrethinën Zindajan në Herat janë shkatërruar, sipas saj.