Sallonet e bukurisë në Kabul mbyllin dyert
Punëtorët e një sallon bukurie në kryeqytetin afgan, Kabul, mbyllën dyert e biznesit të tyre më 24 korrik.
Punëtorët duke i paketuar pajisjet nëpër kuti pasi administrata talibane urdhëroi mbylljen e të gjitha salloneve të bukurisë në vend brenda një muaji në fillim të korrikut.
Talibanët thanë se ndaluan veprimtarinë e salloneve të bukurisë sepse ato ofronin shërbime të ndaluara në islam.
Një punonjëse e sallonit të bukurisë mbledh pajisjet për t'i paketuar në kuti, më 24 korrik.
Vitin e kaluar, autoritetet talibane mbyllën shumicën e shkollave të mesme për vajza, ua ndaluan grave të hynin në universitete dhe i penguan ato të punonin në sektorin humanitar të Afganistanit. Shumë vende publike, duke përfshirë banjat, palestrat dhe parqet, janë të mbyllura për gratë.
Qeveritë e huaja dhe zyrtarët e OKB-së i kanë dënuar kufizimet në rritje ndaj grave që kur talibanët u kthyen në pushtet në Afganistan në vitin 2021, pasi përmbysën një qeveri që mbështetej nga Shtetet e Bashkuara.
Sallonet e bukurisë ishin shfaqur në Kabul dhe qytete të tjera afgane në muajt pas rrëzimit të talibanëve nga pushteti në fund të vitit 2001, disa javë pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Shumë prej tyre qëndruan të hapura pasi islamistët u kthyen në pushtet dy vjet më parë, por me dritare dhe tabela të mbuluara.
Qeveritë perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruarse kufizimet ndaj grave po pengojnë çdo përparim të mundshëm drejt njohjes ndërkombëtare të administratës talibane.
Administrata talibane pretendon se respekton të drejtat e grave në përputhje me interpretimin e ligjit islamik dhe zakoneve afgane.