Nëse talibanët fitojnë luftën e tyre kundër forcave qeveritare, atëherë kjo do të ketë pasoja “shkatërruese” për sigurinë globale, ka thënë një gjeneral afgan, raporton BBC.
Gjenerali, Sami Sadat, i cili po udhëheq betejën kundër talibanëve në provincën jugore të Helmandit, tha se është i sigurt se militantët nuk do të marrin nën kontroll kryeqytetin e kësaj province, ku po zhvillohen luftime të ashpra.
Talibanët kanë pushtuar disa qarqe në qendër të Lashkar Gah.
Ai i tha BBC-së se megjithatë talibanët po fuqizohen dhe përkrahen nga luftëtarët e grupeve të tjera islamike dhe paralajmëroi se një fitore e tyre përbën një kërcënim që kalon kufijtë e Afganistanit.
"Kjo do të rrisë shpresën e grupeve të vogla ekstremiste që të mobilizohen në qytetet e Evropës dhe Amerikës, duke shkaktuar një efekt shkatërrues në sigurinë globale", tha ai.
"Kjo nuk është një luftë e Afganistanit, kjo është një luftë midis lirisë dhe totalitarizmit", shtoi ai.
SHIKONI EDHE: SHBA zgjeron planin për zhvendosje të bashkëpunëtorëve nga AfganistaniSulmi i talibanëve në provincën Helmand është pjesë e një ofensive të madhe në të gjithë Afganistanin.
Në muajt e fundit, militantët talibanë kanë vënë nën kontroll pjesë të konsiderueshme të Afganistanit, pasi forcat e huaja janë tërhequr pothuajse tërësisht pas 20 vjetësh të operacioneve ushtarake në këtë vend.
Helmandi ishte qendra e fushatës ushtarake amerikane dhe britanike dhe një fitore e talibanëve do të ishin një goditje për Qeverinë afgane.
Nëse Lashkar Gah, kryeqyteti i provincës Helmand, do të vendosej nën kontrollin e plotë të talibanëve, atëherë ky do të ishte kryeqyteti i parë i një province i fituar nga talibanët që nga viti 2016.
Përpjekjet e militantëve për të marrë nën kontroll edhe Kandaharin, qytetin e dytë më të madh të Afganistanit, kanë vazhduar.
Marrja nën kontroll e Kandaharit do të ishte një fitore e madhe për talibanët, pasi kështu do të fitonin kontroll në jugun e vendit.
SHIKONI EDHE: Avancimi i talibanëve "përbën krizë ekzistenciale" për Qeverinë afganeLuftime mes forcave qeveritare dhe talibanëve po zhvillohen edhe në rajone tjera.
Derisa forcat qeveritare po përpiqen të frenojnë talibanët, presidenti afgan, Ashraf Ghani fajësoi për pasigurinë në vendin e tij tërheqjen e papritur të trupave amerikane.
"Arsyeja për situatën tonë aktuale është se vendimi u mor papritur", tha ai në parlament, duke shtuar se e kishte paralajmëruar Uashingtonin se tërheqja do të kishte "pasoja".
Edhe pse pothuajse të gjitha forcat e saj ushtarake janë larguar nga Afganistani, SHBA-ja ka vazhduar ofensivën e saj ajrore në mbështetje të trupave qeveritare.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë akuzuar talibanët për kryerjen e krimeve të mundshme të luftës duke "masakruar civilët" në një qytet pranë kufirit me Pakistanin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte parë raporte për krimet e talibanëve. Talibanët i kanë hedhur poshtë akuzat.
Në fillim të vitit 2020, Shtetet e Bashkuara ranë dakord me talibanët për të tërhequr trupat e tyre në këmbim të garancive talibane se nuk do të lejojnë përdorimin e territorit afgan për terrorizëm.
Deri në fund të muajit gusht pritet tërheqja e plotë e trupave të huaja nga ky shtet.
SHIKONI EDHE: Erdogan bën ofertë për sigurimin e Aeroportit të KabulitBisedimet e paqes mes talibanëve dhe Qeverisë afgane janë bllokuar.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.