Shpresat e afganëve tek eksporti i rrushit të thatë
Punëtorët duke përgatitur rrushin për procesin e tharjes në Kandahar më 11 shtator.
Rajoni, dikur i famshëm për kultivimin e shegës dhe rrushit, vitin e kaluar ka eksportuar 10.000 tonë rrush të thatë me vlerë 32 milionë dollarë nga vendi i varfër, i cili po përballet me një krizë humanitare katastrofike nën udhëheqjen e talibanëve, që morën kontrollin në vitin 2021.
Punëtorët afganë duke shtrirë kokrrat e rrushit për ta terur.
Para fillimit të Luftës Sovjetike-Afgane në fund të viteve 1970, Afganistani përbënte 60 për qind të tregut botëror të rrushit të thatë. Megjithatë, vitet e konfliktit kanë ulur ndjeshëm prodhimin bujqësor.
Me vendin në prag të kolapsit ekonomik, eksporti i rrushit të tij është një shenjë e rrallë pozitive për njerëzit e varfër atje, për të cilët OKB-ja ka paralajmëruar se "janë thjesht një hap larg urisë".
Shumë nga njerëzit në Afganistan ende përdorin metoda tradicionale shekullore të quajtura "abjosh", ku pas grumbullimit, kokrrat hidhen në ujë të vluar për disa sekonda në mënyrë që t'u çahet pak lëkura pa e dëmtuar brendësinë e frutave. Kokrrat më pas vendosen që të thahen deri në shtatë ditë.
Ndryshe nga llojet e tjera të rrushit të tharë direkt në rrezet e diellit, kjo metodë ruan ngjyrën, bëhet e artë dhe mbetet e butë.
Punëtorët duke përpunuar rrushin nën diellin e nxehtë të verës.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit, 15.3 milionë njerëz përballen me pasiguri akute ushqimore dhe 2.8 milionë njerëz përballen me nivele emergjente të pasigurisë ushqimore. Kequshqyerja akute është mbi kufijtë e emergjencës në 25 nga 34 provincat e Afganistanit.
Zyrtarët e bujqësisë thonë se prodhimi i rrushit të thatë në Afganistan është dyfishuar në vitet e fundit. Megjithatë, mungesa e kutive dhe ambalazhimit prej kartoni në mënyrë profesionale po i pengon kapacitetet e tyre për të eksportuar më shumë rrush.
Sot, Afganistani përballet me pasiguri ushqimore, me ndryshime klimatike, mungesë të ndihmës ndërkombëtare dhe mungesë të angazhimit efektiv diplomatik.