Afganëve iu rrezikohet edhe buka e gojës
Baba Karim duke shtyrë një karrocë dore në Kabul, më 3 shtator. Burri 45-vjeçar është një prej rreth 36 milionëve afganëve – apo 90 për qind të popullsisë – që kanë nevojë për ndihma ushqimore.
Karim duke qëndruar gati me karrocën e tij. Para se talibanët të riktheheshin në pushtet në Afganistan më 2021, Karim fitonte deri në 5.50 dollarë në ditë, duke bartur gjëra nga tregu. Tani, ai e konsideron veten me fat nëse i siguron 2 dollarë.
Karim duke ndezur televizorin në shtëpinë e tij me pak mobilie në Kabul, ku ai jeton me pesë fëmijët e tij, tre prej të cilëve janë me aftësi të kufizuara. Ndihmat nga Programi Botëror i Ushqimit kanë qenë jetike për familjen e tij.
“Brengosem shumë se çfarë do të ndodhë”, ka thënë ai.
I biri i Karimit, Rahmat, duke shikuar nga dritarja e shtëpisë së tyre.
Teksa ndihmat ushqimore dhe financiare nga PBU-ja pritet të harxhohen deri në fund të tetorit, agjencisë i është dashur t'i reduktojë vazhdimisht ndihmat për ata që kanë më së shumti nevojë, sikurse familja Karim.
Karim duke ecur me të birin. “PBU-ja na ka ndihmuar dy herë. Që të dyja herët më ka dhënë nga 48 dollarë para të gatshme. Shuma s’ishte e mjaftueshme, por ishte e mirëseardhur”, ka thënë ai.
E bija e Karimit, Shakiba, duke shikuar nga dritarja e shtëpisë së tyre. Sikur shumë familje afgane, ajo dhe fëmijët e tjerë të Karimit përballen me një të ardhme të zymtë.
Gati 20 për qind e njerëzve që iu ndihmon PBU-ja janë amvisëri ku gratë janë kryefamiljare, ndërsa këto familje po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruara si rezultat i krizës ekonomike dhe kufizimeve të vëna ndaj grave nga talibanët e linjës së ashpër.
Një çantë shpine me logon e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) qëndron e varur në shtëpinë e familjes Karim.
Rreth tri të katërtat e popullsisë së Afganistanit kanë nevojë për ndihmë humanitare, teksa vendi i tyre ka kaluar dekada konflikti nën një administratë të udhëhequr nga talibanët, që është izoluar ndërkombëtarisht. Kufizimet e vëna nga talibanët ndaj grave po ashtu i kanë larguar donatorët, shumë prej të cilëve e kanë kthyer vëmendjen e tyre në kriza të tjera humanitare.
“Qëndroj zgjuar tërë natën dhe brengosem për të ardhmen e fëmijëve të mi”, ka thënë Karim.
PBU-ja ka nevojë për 1 miliard dollarë për të ofruar para të mjaftueshme për ndihma dhe projekte nga tani e deri në marsin e vitit të ardhshëm. Sipas agjencisë, në rast të mungesës së financimit, 90 për qind e zonave të largëta që kanë nevojë për ndihma do të mbeten pa ushqim – ndërsa edhe në vendet e qasshme, njerëzit nuk do të marrin furnizime gjatë dimrit të ashpër.