Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 450 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Afganët të cilët vijnë në Kosovë, do të qëndrojnë derisa t'iu rregullohet dokumentacioni për t'u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.
Në Kosovë të dielën (29 gusht) arriti grupi i parë prej 111 qytetarëve të parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin.
Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s .
SHIKONI EDHE: Kosovarët mirëpresin qytetarët afganëMinistri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, më herët pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rreth 2,000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.
“Strehimi i tyre është i përkohshëm edhe bazuar në vendimet e qeverisë. Ne kemi marrë zotimin e aleatëve tanë që strehimi i tyre të zgjatë sa më shkurt që është e mundur. Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.
Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.