Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar talibanët se aleanca nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet strehë për terrorizëm, pasi militantët kanë marrë pushtetin në fundjavë.
“Ata që tani marrin pushtetin, kanë përgjegjësi për të siguruar se terroristët ndërkombëtarë të mos fitojnë terren”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel më 17 gusht.
Ai ka thënë se ndonëse NATO-ja ka tërhequr forcat nga Afganistani, aleanca do të mbetet në vëzhgim nëse ka shenja që grupet terroriste janë duke u rigrupuar, apo nëse mund të ketë sulme nga distanca.
Stoltenberg ka thënë se NATO-ja është befasuar nga shpejtësia e fitores së talibanëve, mirëpo ka fajësuar liderët afganë për shtrirje të “tragjedisë” duke përkrahur deklaratën e një dite më parë të presidentit amerikan, Joe Biden.
“Një pjesë e forcave afgane të sigurisë kanë luftuar trimërisht. Mirëpo ato nuk kanë mundur ta sigurojnë shtetin sepse udhëheqësia politike afgane ka dështuar që të përballet me talibanët dhe të arrijë zgjidhje paqësore, të cilën afganët e kanë kërkuar aq shumë”, ka thënë ai.
SHIKONI EDHE: Biden: I qëndroj vendimit për tërheqje nga Afganistani“Ky dështim i udhëheqësisë afgane ka çuar në tragjedinë që jemi duke e parë”, ka shtuar Stoltenberg, duke theksuar se qëllimi i NATO-s, ka qenë që të ndërtojë një shtet të menaxhueshëm dhe jo të ketë prezencë të përhershme aty.
Një gazetare afgane ka thënë duke qarë se frikësohet për gjendjen e grave në Afganistan dhe ka lutur NATO-n të mos njohë talibanët, duke shtyrë Stoltenbergun që të zotohet se Perëndimi do të tentojë të mbajë përgjegjës grupin për respektim të të drejtave të njeriut.