Shqipëria është shprehur e gatshme të strehojë qindra qytetarë afganë, të cilët po largohen nga Afganistani, duke u bërë pjesë e listës së dhjetëra shteteve që janë zotuar të pranojnë afganët që kërkojnë të arratisen nga vendi pas krizës së krijuar.
Ministrja e Punëve të Jashtme në Shqipëro Olta Xhaçka, përmes një postimi në Twitter bëri me dije se Shqipëria është e gatshme të strehojë qindra afganë dhe të sigurojë mirëqenien e tyre.
“Shqipëria është gati të presë qindra afganë jetët e të cilëve janë të kërcënuara nga situata e sigurisë në përkeqësim. Ne qëndrojmë krah aleatëve tanë, të gatshëm të garantojmë sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkroi Xhaçka.
Dhjetëra qeveri janë duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në Afganistan “që të respektojnë dhe ndërmjetësojnë” largimin e shtetasve të huaj dhe afganëve që duan të largohen nga shteti.
Disa vende kanë nisur të evakuojnë shtetasit e tyre, duke zvogëluar prezencën në Afganistan, dhe në disa raste edhe duke mbyllur ambasadat.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se një shtetase shqiptare, e punësuar në një kompani të huaj, ndodhet në Afganistan.
Autoritetet thanë se ajo ka kontaktuar me Ambasadën e Shqipërisë dhe shtojnë se janë aktivizuar dhe po punojnë për nxjerrjen e saj në Afganistan.
Edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka reaguar në lidhje me gatishmërinë e Shqipërisë për të strehuar refugjatët afganë.
“BESA – kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithmonë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë t’ju quajmë mikun dhe aleatin tonë”, shkruan ambasadorja në Twitter.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Shqipërisë që të strehojnë përkohësisht afganët, që bashkëpunuan me forcat amerikane, teksa talibanët kanë marrë nën kontroll pothuajse tërë territorin e Afganistanit.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja lavdëron Kosovën dhe Shqipërinë për gatishmërinë rreth strehimit të afganëve