Dhjetëra qeveri janë duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në Afganistan “që të respektojnë dhe ndërmjetësojnë” largimin e shtetasve të huaj dhe afganëve që duan të largohen nga shteti.
Disa vende kanë nisur të evakuojnë shtetasit e tyre, duke zvogëluar prezencën në Afganistan, dhe në disa raste edhe duke mbyllur ambasadat.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.
Ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.
Duke cituar ‘situatën e përkeqësuar” në Afganistan, përmes një deklarate të përbashkët, më shumë se 60 shtete, kanë thënë se “ata që kanë pushtet dhe autoritet në Afganistan, kanë përgjegjësi për mbrojtjen e jetës dhe pronave të njerëzve, si dhe për rikthimin e menjëhershëm të sigurisë”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrrje taliibanëve që të përbahen, në mënyrë që të ruajnë jetën e afganëve dhe të sigurojnë dërgimin e ndihmës humanitare.
SHIKONI EDHE: Talibanët u kthyen – çka tash?Zyra për ndihma e OKB-së, ka thënë se anëtarët e komunitetit humanitar mbesin të përkushtuar për t’iu ndihmuar miliona afganëve që kanë nevojë dhe janë duke qëndruar në këtë shtet, pavarësisht ambientit “tejet kompleks të sigurisë”.
Më shumë se 18.4 milionë persona veçse kanë pasur nevojë për ndihmë, para se të zhvendoseshin më shumë se 550.000 njerëz nga konflikti i këti viti, sipas zyrës për ndihma të OKB-së.
Më 15 gusht, militantët talibanë kanë marrë kontrollin e rrugëve të braktisura në Kabul, si dhe kanë hyrë në Pallatin presidencial.
Ghani ka lënë qytetin me gjashtë milionë banorë dhe ka ikur nga shteti duke thënë më vonë se ka dashur të shmangë një katastrofë të madhe humanitare.
Një zëdhënës i talibanëve ka thënë se “lufta ka mbaruar” dhe ka bërë thirrje për marrëdhënie paqësore me komunitetin ndërkombëtar.
“U bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të ulen me ne dhe të zgjidhim secilën çështje”, ka thënë ai, duke shtuar se grupi mund të ofrojë siguri për misionet diplomatike.
Një tjetër zëdhënës i talibanëve, Suhail Shaheen, ka thënë se ata do të zhvillojnë bisedime në ditët në vijim, me qëllim të formimit të “një qeverie të hapur dhe gjithpërfshirëse islamike”.
Bisedimet me zyrtarë të lartë është thënë se janë duke u zhvilluar për transferim paqësor të pushtetit, mirëpo ende nuk është bërë e qartë se kur do të mund të ndodhë diçka e tillë, apo se kush është duke negociauar nga ana e talibanëve.
Ndërkohë, shumë shtete kanë përshpejtuar procesin e evakuimit të qytetarëve të tyre dhe afganëve që u kanë ndihmuar misioneve diplomatike gjatë luftës.
Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se është duke evakuuar të gjithë stafin e ambasadës dhe se ushtria amerikane ka siguruar një perimetër të aeroportit ndërkombëtar, Hamid Karzai.
Forcat amerikane do të kontrollojnë trafikun ajror për nisje ka thënë ky Department, duke shtuar se prezenca e ushtrisë amerikane do të rritet në gati 6.000 trupa në 48 orët në vijim.
Franca dhe Gjermania janë në mesin e shteteve që po ashtu janë duke dërguar aeroplanë ushtarakë për të kryer operacionet e evakuimit.
Britania ka dërguar 600 trupa ushtarake në Afganistan, për të ndihmuar në evakuim.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë më 16 gusht se ana ushtarake në Kabul është e sigurt dhe se Britania është duke bërë gjithçka që mundet për të evakuuar qytetarët britanikë dhe afganët e lidhur me Britaninë.
“Synimi ynë është 1.200 deri në 1.500 dalje në ditë”, ka thënë ai për Sky News.
SHIKONI EDHE: Perëndimi ngutet që të evakuojë stafin e ambasadave në KabulWallance ka thënë se ende nuk është koha e duhur për të vendosur nëse do të njihen talibanët si Qeveri afgane.
Presidenti amerikan, Joe Biden, nuk ka lëshur deklaratë për zhvillimet e reja, mirëpo Shtëpia e Bardhë ka thënë se ai dhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, janë takuar me këshilltarët për siguri kombëtare për të dëgjuar më të rejat rreth evakuimeve.
Më 14 gusht, ai ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje të trupave amerikane, duke thënë se “prezenca amerikane pafund në mesin e një konflikti civil në një shtet tjetër, nuk është e pranueshme për mua”.
Ai tani është duke u përballur me kritika, sidomos nga repiblikanët në Kongres, pasi kryengritësit kanë lëvizur shpejt, duke pushtuar pjesën më të madhe të qyteteve afgane, në më pak se një javë.