Afaristët në Maqedoninë e Veriut shprehen të indinjuar pasi është bllokuar sërish Pakoja e pestë e masave, që kanë për qëllim të ndihmojnë ekonominë, për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Disa afaristë thonë për Radion Evropa e Lirë se partitë në pushtet dhe ata në opozitë po tregohen të papërgjegjshëm dhe sipas tyre, me këto veprime, po i japin një goditje edhe më të fuqishme sektorit të biznesit.
Këto reagime vijnë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të enjten mbrëma, nuk arriti që të miratojë Ligjin për pakon e pestë të masave anti-krizë, për shkak të mosmarrëveshjeve se cilat ligje janë me prioritet dhe të cilat duhet të sillen në seancë plenare.
Pas polemikave të ashpra ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi tha se është duke e konsideruar që të kërkojë që të mos mbahen seanca plenare, pasi disa deputetë të shumicës janë të infektuar me koronavirus, ndërsa opozita refuzon që ta krijojë kuorumin.
SHIKONI EDHE: Bizneset, të pakënaqura me ndihmën e qeverisëAfaristi Mirçe Çekrexhi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sjellja e politikanëve në këtë kohë krize është “tërësisht e papërgjegjshme”.
“Dëm shumë i madh po i shkaktohet sektorit të biznesit, pasi për disa muaj po shtyhet miratimi i Pakos së pestë të masave anti-krizë. Kjo papërgjegjësi e politikës do të përshpejtojë mbylljen e më shumë bizneseve, të cilat edhe ashtu pas humbjeve të mëdha si pasojë e krizës së pandemisë, kanë shënuar ulje drastike të të ardhurave dhe mezi arrijnë të mbijetojnë. Në këtë situatë, nuk ka vend për lojëra politike, por duhet angazhuar me të gjitha forcat që të shpëtohet sektori i biznesit dhe vendet e punës”, thotë Çekrexhi.
Ndërkaq, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se për shkak të përfitimeve politike të partive, po dëmtohet bizneset, që duhet të largojnë punëtorë nga puna.
“Vlerësoj se pakoja e ndihmave financiare duhet të sillet sa më shpejt, në mënyrë që biznesi të mund të sanojë dëmet dhe të mos vjen deri te thellimi i krizës. Në bazë të të dhënave zyrtare, të institucioneve relevante, rreth 50 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë. Për këtë arsye, pikërisht kompanitë janë ato që e presin këtë pako të ndihmave, për të subvencionuar pagat e punëtorëve të tyre”, thotë Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Ndërkaq, Marijana Petkoska nga sektori i tekstilit, thotë se aktualisht punëtorët dhe punëdhënësit janë në të njëjtën anije, e cila sipas saj ka filluar të fundoset. Prandaj, sipas Petkoskas, nëse ka vonesa që të vijnë ndihmat nga shtetit, atëherë do të fundoset përfundimisht sektori i biznesit.
“Është e paqartë situata se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Në variantin më të mirë, gjendja mund të themi se do të fillojë të normalizohet në çerekun e tretë, në tetor, kur vendet evropiane pritet të fillojnë të funksionojnë normalisht dhe deri atëherë, industria e tekstilit është e detyruar që të mbijetojë disi. Por, duhet kujtuar se nëse dëshirojmë ta mbajmë gjallë industrinë e tekstilit, duhet ndihmë, pasi industria është ajo e cila e mbushtë arkën e shtetit”, thotë Petkoska.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka përjashtuar mundësinë që të taktizohet me miratimin e Pakos së ndihmave, për shkak se nuk ka para të mjaftueshme për këtë gjë.
Në një konferencë për media, të premten, Zaev tha se ekzekutivi tashmë ka nisur edhe të përgatisë Pakon e gjashtë të masave anti-krizë.
Vonesa e miratimit të Pakos së pestë të ndihmave ka lënë pa paga 16 mijë 883 punëtorë gjatë muajit shkurt.
SHIKONI EDHE: Kompanitë prodhuese presin ndihmën e qeverisë për rimëkëmbjeSipas të dhënave të Drejtorisë të të hyrave publike, pothuajse 10 për qind e kompanive nuk kanë arritur që të bëjnë pagesën e pagave për muajin shkurt, përkatësisht mbi 7 mijë punëdhënës janë ende duke pritur ndihmën nga qeveria, në mënyrë që më pas të mund t’ua paguajnë pagat punëtorëve të tyre.
Ndryshe, Pakoja e pestë e ndihmës është në vlerë prej 9.7 miliardë denarë ose rreth 160 milionë euro. Përmes kësaj pakoje parashihet mbështetje e drejtpërdrejtë financiare për kompanitë në mënyrë që të mbajnë punëtorët në vendet e tyre të punës në sektorët e turizmit, zejtarisë, hotelerisë, transportit, industrisë për organizimin e ngjarjeve si dhe mbështetje financiare për likuiditetin e sektorit privat, përmes kredive pa kamata, me qëllim që të mbahet dhe rritet numri i të punësuarve.